Njëri “Po” e tjetri “Jo”, Ilir Meta fut në sherr SPAK-un me Ramën
Prokuroria e Posaçme ka miratuar kërkesën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta, për të zhvilluar një intervistë televizive për A2CNN brenda ambienteve të paraburgimit në burgun “Jordan Misja” në Tiranë.
Leja është dhënë nga dy prokurorët e çështjes, Sotir Kllapi dhe Arben Kraja, të cilët kanë autorizuar zhvillimin e intervistës brenda qelisë ku ndodhet Meta, duke i hapur rrugë realizimit të saj në kushtet e paraburgimit.
Megjithatë, pavarësisht miratimit nga SPAK, intervista nuk do të realizohet. Shkresa përkatëse i është përcjellë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, e cila ka refuzuar dhënien e aprovimit përfundimtar, duke argumentuar se realizimi i intervistës kërkon masa të veçanta sigurie, shoqërimi, izolimi dhe monitorimi.
Sipas Drejtorisë së Burgjeve, këto masa do të angazhonin burime njerëzore dhe logjistike shtesë, në një kohë kur burgu “313” përballet me mbipopullim të të paraburgosurve dhe mungesa të theksuara në organikën e stafit policor. Institucioni thekson se kushtet aktuale e bëjnë të vështirë garantimin e rendit të zakonshëm dhe funksionimin normal të shërbimeve të sigurisë.
Në reagimin zyrtar, Drejtoria e Burgjeve sqaron se IEVP “Jordan Misja” akomodon gjithashtu një numër të konsiderueshëm të paraburgosurish të transferuar nga institucione të tjera, të vendosur në regjim tranzitor në pritje të seancave gjyqësore. Kjo situatë, sipas saj, kërkon angazhim shtesë të stafit dhe infrastrukturës për menaxhimin e sigurisë dhe veprimeve të ndara nga të paraburgosurit rezidentë.
Për këto arsye, Drejtoria e Burgjeve konkludon se, në kushtet aktuale, realizimi i intervistës nuk është i mundur, duke nënvizuar se prioritet absolut mbetet garantimi i sigurisë institucionale, ruajtja e rendit të brendshëm dhe mbarëvajtja e shërbimit të sigurisë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



