Njeriu i Suel Çelës emërohet drejtor i QSUT, largohet Donjeta Bali
Publik.al | Tiranë – Qeveria ka ndërmarrë një tjetër lëvizje të papritur në sektorin e shëndetësisë, duke shkarkuar nga detyra drejtoreshën e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Donjeta Bali.
Donjeta Bali ishte prezantuar më 29 maj nga Ministrja e Shëndetësisë, Albana Koçi, si drejtoresha e re e QSUT, duke theksuar përkushtimin dhe përvojën e saj në fushën e shëndetësisë. Koçi kishte vlerësuar Balin si një profesioniste e angazhuar për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore dhe fokusimin te pacienti. Emërimi i Florenc Spahos në këtë detyrë vjen pas një periudhe të shkurtër të drejtimeve të ndryshme në sistemin shëndetësor.

Mjeku Florenc Spaho, ish-deputet dhe anëtar i Komisionit të Shëndetësisë në Kuvendin e Shqipërisë, njihet si njeriu i Suel Çelés në Elbasan.

Emërimi i Spahos ka ngritur shqetësime të shumta në opinionin publik dhe qarqet profesionale, për shkak të lidhjeve të tij të përfolura me figurën e njohur të botës së krimit në Elbasan, Suel Çela. Burime nga brenda sistemit shëndetësor bëjnë me dije se Spaho ka qenë për një kohë të gjatë pjesë e rrjetit të ndikimit të Çelës në administratën publike, sidomos në sektorët që menaxhojnë buxhete të mëdha si shëndetësia.
Ndërkohë, largimi i Donjeta Balit e cila u emërua në krye të QSUT në një periudhë të trazuar për sektorin shëndetësor vjen në një moment kur opinioni publik po kërkon më shumë transparencë për keqmenaxhimin e fondeve publike dhe për lidhjet politike në emërime kyçe.
QSUT është institucioni më i madh spitalor në vend dhe menaxhon dhjetëra milionë euro në buxhet dhe projekte, duke qenë shpesh në qendër të akuzave për afera, tenderë të dyshimtë dhe mungesë llogaridhënieje.
Për momentin nuk ka asnjë reagim nga Ministria e Shëndetësisë mbi kriteret e përzgjedhjes së Spahos dhe as ndonjë shpjegim për largimin e Balit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



