Olegut i hoqën trikon dhe e qëlluan pas koke
KUJDES: PAMJE TE RENDA
BILD
Në qytetin ukrainas të Bucha-s, trupat e Putinit masakruan civilët e pambrojtur. Ka trupa të vdekur ngado. Të djegur, të gjymtuar, të groposur.
Dëshmitarët e këtyre krimeve monstruoze flasin ekskluzivisht për BILD.
Irina Abramova, 48 vjeç: “Ishte 5 marsi. Ishim në shtëpi, kur dëgjuam papritur një shpërthim, që shkatërroi gjysmën e shtëpisë. Më pas nisën të qëllojnë nga dritaret. Dilni jashtë, thërrisnin. Burri im, Olegu doli jashtë dhe tha: Mos qëlloni, ka vetëm civilë këtu. Ushtarët i thanë që të ngrinte duart lart. Dola edhe unë jashtë. Më pyetën se përse po fshihesha. U thashë se isha e frikësuar. Më thanë: Shiko, ne jemi rusë. Ne kemi shiritat e Shën Xhorxhit. Kemi ardhur t’ju çlirojmë”.
“Më pas nisi të digjej edhe shtëpia jonë. Olegu tentoi që të shuante zjarrin. Në këtë moment e kapën, i hoqën trikon, e ulën në gjunjë dhe e qëlluan pas koke. Më pas nisën të më pyesin mua. Më thonin: Ku janë nazistët?”
Vejusha shton për BILD: “Burri im ishte 40 vjeç. Ai nuk jetoi të shihte ditëlindjen më 14 mars. Ai mbeti aty ku e qëlluan derisa ne u siguruam që ushtarët kishin ikur. U thashë të më vrasin edhe mua. Një ushtar më drejtoi armën. I thashë: Më vrit edhe mua dhe macen. Teksa më drejtoi armën, më tha se ai nuk vret gra”.
“Një snajper po qëllonte mbi njerëzit. Ne nuk mund të largoheshim nga qyteti për një muaj derisa rusët u larguan. Na detyruan të dorëzojmë celularët. U thashë: Nuk na ka mbetur asgjë, na morët gjithçka”.
“Më në fund na nxorën nga qyteti dhe na thanë të mos kthehemi më kurrë. Na fajësonin për vdekjen e shokëve të tyre. Ne u thamë: Jemi të moshuar, çfarë u kemi bërë? Na u përgjigjën: “Keni zgjedhur një president që ka lejuar nazistët në pushtet. Ju nisët protestat në Maidan”.”
“Po kërkonin për nazistë. Donin adresat e nazistëve. Mbanin shiritat e Shën Xhorxhit, duhet të kenë qenë luftëtarë të Kadirovit sepse mbanin shkronjën V. Dhe në pamje nuk dukeshin rusë. Gjithashtu flisnin me theks’.
Babai i Irinës, Vladimiri 72-vjeçar, thotë: “Na u dogjën të gjithë gjërat, dokumentet, gjithçka që kishim. Na thanë se ishin rusë dhe erdhën të na çlironin. Ata e nxorën zvarrë Olegun, e gjunjëzuan dhe e qëlluan në kokë. Gjysma e kokës ishte e copëtuar”.


Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



