ONM, kundër prokurorit Adnan Kosova: Pse nuk duhet të konfirmohet
“Për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit, një subjekt nuk mund të konfirmohet nëse jep shpjegime jo të logjikshme ose jo të besueshme”, shkruhet në kërkesën e ONM-së për ankimin e vendimit të konfirmimit të prokurorit Adnan Kosova.

Gjatë ditës së djeshme, Komisioneri Publik njoftoi se ka marrë një rekomandim nga vëzhguesit e huaj për të ankimuar konfirmimin e Kosovës. Kujtojmë se Komisioni i Pavarur i Kualifikimit konfirmoi në detyrë subjektin e rivlerësimit, prokurorin Adnan Kosova, më datë 20 dhjetor 2018.
Ndërkohë, Komisionerët Publikë njoftuan se janë duke shqyrtuar në të njëjtën kohë vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe rekomandimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe brenda afatit të përcaktuar në ligj do të marrin një vendim.
“Komisionerët Publikë, brenda 15 ditëve nga data e njoftimit të vendimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, kanë të drejtë të paraqesin ankim pranë Kolegjit të Posaçëm të Apelimit”, shkruhet në njoftimin e KP-së. Bilanci negativ për vitin 1998 vuri në vështirësi prokurorin e Prokurorisë së Përgjithshme, Adnan Kosovën, në seancën dëgjimore, ndërsa pati edhe një diskutim me përfaqësuesin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Theo Jacobs.
Ky i fundit e konsideroi skenar mënyrën e shitjes së apartamentit në Korçë, ndërsa vetë prokurori, i cili ka qenë edhe drejtues i Krimeve të Rënda, tha në fundse i vinte keq që përfaqësuesi i ONM-së u shpreh në atë formë, por çdo gjë ishte e qartë dhe se ai kishte dhënë shpjegime. Prokurori u paraqit pa mbrojtës ligjor para treshes së trupit gjykues, ndërsa ishte i shoqëruar nga disa miq të tij.
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, hetimi administrativ për Kosovën ishte kryer në të tria kriteret e rivlerësimit, ku përpos materialeve të dorëzuara nga institucionet ndihmëse, është bërë një hetim i thelluar nga Komisioni.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



