Operacioni në Vlorë, dalin pamje e aksionit të befasishëm (VIDEO)
Një operacion i gjerë i strukturave të posaçme kundër krimit të organizuar është zhvilluar në orët e para të mëngjesit në qarkun e Vlorës. Me urdhër të Prokurorisë së Posaçme, në terren kanë zbarkuar forcat speciale RENEA, FNSH dhe hetues të BKH për ekzekutimin e disa urdhërarresteve të lëshuara në kuadër të hetimeve për ngjarje të rënda kriminale.
Sipas burimeve, operacioni është përqendruar kryesisht në zonën bregdetare të Orikumit, ndërsa objektiv janë të paktën shtatë persona të dyshuar për përfshirje në disa ngjarje kriminale të ndodhura në vend. Mes emrave që përmenden në hetime janë edhe Inez Hajrulla dhe Ervis Matodashaj.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme kanë marrë zhvillim të ri pas arrestimit të Flodian Plakut, i njohur edhe me nofkën “Poli Qorre”, në gusht të vitit 2025. Ai u vu në pranga si i dyshuar për vrasjen e Gentian Beqirit.
Gjatë operacionit për kapjen e tij, autoritetet sekuestruan disa telefona celularë, analizimi i të cilëve ka çuar në zbulimin e komunikimeve që dyshohet se lidhen me disa ngjarje kriminale. Këto biseda kanë ndihmuar hetuesit të rindërtojnë lëvizjet dhe kontaktet mes personave të dyshuar.
Prej kohësh, persona të konsideruar si eksponentë të botës së krimit kanë qenë nën vëzhgim nga strukturat e posaçme. Ndërhyrja e sotme është përqendruar edhe në zonën e njohur si “Uji i Ftohtë”, ku është vendosur një perimetër i gjerë sigurie.
Kontrolle janë ushtruar gjithashtu në kompleksin e njohur si “7 pallatet Oslo”, një zonë që sipas burimeve konsiderohet si një nga pikat ku qëndronte shpesh Inez Hajrulla.
Operacioni është koordinuar nga SPAK dhe është realizuar nga forcat speciale RENEA, ndërsa në mbështetje kanë qenë edhe efektivë të Policisë së Vlorës dhe hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit.
Gjatë aksionit është bllokuar edhe segmenti i Unazës së Vlorës, rruga paralele me Lungomaren, ndërsa zona është monitoruar edhe nga ajri me dronë. Në terren raportohet se janë angazhuar rreth 40 efektivë dhe disa mjete të blinduara që kanë rrethuar një pallat në zonë.
Ndërkohë, Flodian Plaku dyshohet se është i përfshirë edhe në vrasjen e ish-policit Gentian Bejtja, ngjarje e ndodhur në mars të vitit 2024 në Larushk të Fushë-Krujës.
Hetimet paraprake tregojnë se krimi mund të ketë ndodhur në kuadër të përplasjeve dhe hakmarrjeve mes disa grupeve kriminale që veprojnë në zonën e Fushë-Krujës dhe më gjerë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



