E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
PAÇ FATIN E LUKASHENKOS!
Publik News

PAÇ FATIN E LUKASHENKOS!

Nëse mendon se ky artikull ka lidhje edhe me kryeministrin tonë, nuk je gabim!

Dje, kur ne shqiptarët shullëheshim plazheve, mbi 100.000 qytetarë të inatosur dhe të guximshëm, sfiduan policinë dhe vërshuan në rrugët e kryeqytetit bjellorus Minsk!

Objektivi: të rikthejnë në vendin e tyre zgjedhjet demokratike dhe të rifitojnë liritë e humbura në 26 vitet e qeverisjes së Presidentit aktual Lukashenko!

Me siguri do t’ia dalin!

Do t’ia dalin sepse me sa duket u ka vajtur aty ku nuk mban më!

Ashtu si shumë popuj në Botë, me shumë gjasa edhe bjellorusët kanë qenë indiferentë kur pak nga pak pushteti u çmontonte qytetarëve liritë duke konsoliduar vazhdimësinë e vet. Kësaj rradhe me sa duket “zullumi” është i madh; presidenti më i urryer i momentit, nga populli i tij, pretendon se ka marrë 80% të votave ndërkohë që qytetarët janë të bindur se rezultati ka qenë komplet i përmbysur.

Në grahmat e fundit të pushtetit të tij, Lukashenko po bën Stalinin, i cili e ka lënë me gojë: “Ata që votojnë nuk vendosin asgjë, ata që numërojnë vendosin gjithçka!”

Lukashenko ka numëruar votat si ka dashur, po me sa duket i ka bërë hesapet pa hanxhinë!

Shpresa e tij e madhe qëndron tek mbështetja e Putin-it, i cili mbi të gjitha, i tutet një precendenti që mund t’i prishte rehatinë e vet. Shpresat e vogla janë hallakatja e Evropës nga pandemia dhe ajo e Amerikës nga zgjedhjet presidenciale!

Për herë të parë në historinë e diplomacisë botërore, për zgjidhjen e një krize të këtyre përmasave, i ka rënë “bixha” të angazhohet për ta zgjidhur, qeverisë shqiptare!

Konkretisht, “kryenegociator” ka qëlluar të jetë kryetari i qeverisë shqiptare, zoti Edi Rama, nën kompetencën e Kryetarit të OSBE-së për vitin 2020! Në planin personal, kjo është një tjetër arritje e qytetarit me fat, Edi Rama. Është një pikë e lartë e aktivitetit të tij të pavlerësuar sa duhet, si lider global!

Për ata që besojnë se kjo qeveri që kemi aktualisht ka dalë nga zgjedhje të cënuara, kjo tingëllon pak paradoksale. Midis tyre, spikat opozita, e cila ka servirur prova të forta të shitblerjes së votave dhe pret (më kot) që drejtësia të bëjë punën e saj!

Disa e shohin si estradë dhe shkëmbejnë meme të tipit “hajduti do kapi hajdutin”, por folklorizimi i këtij episodi është tepër i dëmshëm për demokracinë tonë të brishtë!

Cili është mësimi më i madh që na jep kriza bjelloruse?

Personalisht mendoj se është ai që lidhet me rotacionin e pushtetit!

Asnjë demokracie nuk i bën mirë qëndrimi në pushtet për shumë mandate rresht i një force të vetme politike, e cila që si rregull pjell dhe rrit një diktator. Sidomos në vendet si ky yni! Rotacionin e pushtetit e bën e gjithë Bota dhe shembulli më i madh për këtë janë SHBA!

Është e provuar që pushteti është droga më e fortë për njeriun, por në asnjë rrethanë dëshira apo nevoja e një njeriu për pushtet të përjetshëm nuk është më e rëndësishme sesa fati i një populli të tërë, i një shteti, i një kombi!

Lukashenko po shkon me rrokullisje për atje ku është nisur!

Uroj që fatin e tij ta pësojë edhe “nëna e të gjitha të këqijave”, veprimi më i ndyrë dhe më i ulet që njerëzit mund t’i bëjnë njëri-tjetrit, tjetërsimi i votës me të gjitha format e saj!

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.