Palestinezët në Gazën veriore lënë shtëpitë
Pas paralajmërimit të Izraelit
Pasi Izraeli iu bëri thirrje qytetarëve të Palestinës të lënë shtëpitë para ndërhyrjes tokësore izraelite, palestinezët janë larguar nga Gaza veriore.
Me gjërat e tyre të grumbulluara në makina, i madh e i vogël ka braktisur vendin duke u larguar.
Organizata Botërore e Shëndetësisë dhe OKB i kanë bërë thirrje Izraeli të ndalet, teksa edhe Egjipti dhe Arabia Saudite e kanë hedhur poshtë urdhrin.
Më shumë se një milion palestinezë në gjysmën veriore të Rripit të Gazës po përballen sot me një afat kohor nga Izraeli për t’u zhvendosur në jug. OKB vlerëson se dhjetëra mijëra janë shpërngulur, njofton Yolande Knell, korrespodente e BBC në Lindjen e Mesme.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu paralajmëroi se bombardimet më të rënda të vendit të tij ndaj Gazës këto ditët e fundit ishin “vetëm fillimi”.
Të paktën 1,900 njerëz në Gaza janë vrarë në sulmet e kryera si hakmarrje për vrasjen e 1,300 izraelitëve në sulmet e befasishme nga persona të armatosur të Hamasit një javë më parë.
Ka pasur panik në pjesën veriore të Rripit të Gazës me popullsi të dendur që kur Izraeli lëshoi fletushka që udhëzonin banorët të largoheshin. Ndërsa radhët e gjata të njerëzve dhe automjeteve u krijuan shpejt në rrugët në jug, shumë thanë se do të kundërshtonin urdhrin ose nuk kanë lëvizur ende.
OKB-ja dhe organizatat e tjera kanë paralajmëruar për një katastrofë nëse kaq shumë palestinezë detyrohen të ikin, duke i bërë thirrje Izraelit të heqë rrethimin e Gazës për të lejuar ndihmën humanitare.
Një javë pasi Izraeli pësoi sulmet e tij më vdekjeprurëse ndonjëherë, ai po vazhdon bombardimet e tij të rënda të Gazës duke thënë se synon të zhdukë grupin militant islamik Hamas që qeveris territorin.
Hamasi është zotuar të luftojë deri në pikën e fundit të gjakut.
Me përgatitjet e bëra për një pushtim tokësor, ushtria izraelite thotë se forcat e saj tashmë kanë kryer bastisje të kufizuara brenda Gazës duke vënë në shënjestër palestinezët që lëshojnë raketa dhe synojnë të mbledhin informacione për dhjetëra pengje, shtetas izraelitë të mbajtur nga Hamasi.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



