PLASARI: Pse refuzova ftesën e PD-së për t’u bërë deputet
I ftuar në emisionin “Opinion”, Plasari tha se në atë kohë kam pasur mendimin se Edi Rama mund ta bënte rolin e ministrit të Kulturës dhe mund ta bënte bashkë me ekstravagancën e tij, por edhe me komunikimin që atëherë e ka pasur edhe si armën më të fortë.
Sipas tij, komunikimin jo vetëm në dimension me marrëdhëniet me publikun, por edhe me njerëzit që bashkëpunonte në atë kohë.
“Rama ishte një njeri që mund të debatoje dhe mund të argumentonte që e ke gabim dhe ti nga ana tjetër mund t’i argumentoje që e kishte ai gabim”, tregon Plasari.
Studiuesi e sheh kryeministrin sot ndryshe, megjithatë shprehet se është i kufizuar në kritikat ndaj, përveç atyre që lidhen drejtpërdrejt me interesat dhe fushën e tij studimore.
“Sot unë e shoh ndryshe, në shumë situata e shoh ndryshe. Por jam kufizuar të bëj ato kritika që kam menduar se lidhen me interesat e mija dhe fushën time. Siç ka qenë kauza e Teatrit Kombëtar, ose edhe të tjera. Nuk me takon mua t’i bëj kritikën gjenerale, kritikën totale. Këtë të fundit le t’ia bëjnë ata që janë në konkurrencë politike me të”, tha ai.
Në lidhje me angazhimin e tij në politikë, si një deputet i Partisë Demokratike, Plasari theksoi se një ftesë e tillë i ka ardhur por që më pas është refuzuar.
Ai e argumenton një refuzim të tillë me faktin se nuk ka moshën e duhur tashmë, përgatitjen dhe shëndetin për t’u angazhuar në politikë.
“Më kanë ftuar, por sigurisht i kam falenderuar, duke iu bërë me dije se nuk kam as moshën dhe as përgatitjen, madje me të thënë të drejtën as shëndetin”, tregoi Plasari.
Studiuesi tha se nëse do kisha pranuar më duhej të lija librat për të hapur tekstet se si mund të bëhen ligjet.
“Unë kam moshën për të dalë në pension diku”, tha Plasari.
Në një rrëfim të rrallë, studiuesi Aurel Plasari ka treguar bisedën me një deputet shqiptar, i cili i kishte thënë se “rruga më e mirë për t’u pasuruar është politika. Sipas profesor Plasarit, në vendin tonë ka një kategori politikanësh, të cilët nuk duhet të vazhdojnë këtë rrugë.

Teksa i referohet Nolit, Plasari tregon se qëndrimi me forcë, me thonj dhe dhëmbë në politikë nuk është një shpikje shqiptare, por në botën demokratike nuk është normale.
“Unë nuk kam dashur ta besoj për çfarë vijon një kategori dhe jam tronditur kur e kam dëgjuar nga njëri prej tyre, deputet, politikan. Ishim jashtë në një udhëtim dhe unë po bëja pyetjen: Ore çfarë e keni, si ajo që thotë Noli, me thonj, me dhëmbë, me kthetra. ça është ky pasion? Më thotë: Hë mo profesor je mbrapa ti, je mbrapa profesor sepse ti nuk e di që rruga më e mirë për tu pasuruar është politika. Sigurisht kjo nuk është një shpikje shqiptare, por në botën demokratike është një anormalitet”, tha Plasari në Opinion.
Sipas tij ka njerëz që në politikë janë futur për ide dhe idale, por ka edhe nga ata njerëz që nuk pranojnë të largohen. Ai argumenton se këta janë kategoria e atyre që nuk dine të bëjnë gjë tjetër.
Shqipëria tha studiuesi po qeveriset nga njerëz të paaftë dhe që nuk dinë të bëjnë gjë tjetër.
“Ka njerëz që janë futur për ide dhe ideale, por janë të dallueshëm sepse në një moment të caktuar thonë: Unë do largohem. Ndërsa i dalloj ata që me thonj dhe dhëmbë nuk largohen. Dalim te një kategori tjetër, që po na qeverisin njerëz që nuk janë të aftë për asnjë punë tjetër. Marrja përsipër e punëve dhe detyrave që nuk dinë ti bëjnë dhe nuk kanë pse ti bëjnë. Ky është shqetësimi dhe ndryshimi me vendet e tjera që ne duhet të bëjnë krahasim. Ndryshimi është te fakti që janë integruar në BE, Rumania dhe Bullgaria së fundmi. Ky fakt na tregon që me gjithë problematikat, ka një konkurrencë normale të specialistëve për të qeverisur, për të mbledhur në parlament juristë, ekonomistë, sociologë, me gjithë respektin për aktorët që kanë hyrë dhe kanë dalë kot”, u shpreh Profesor Aurel Plasari.
Plasari është shprehur se është i mendimit që historia mund të rishkruhet, pasi dalin në dritë fakte të reja dhe shikohet e shkuara ndryshe.
“Një pjesë e shqetësimit që lind sot është me tekstet që do të prodhojë Akademia e Shkencave. Unë nuk jam pjesë e atij grupi punë në Akademinë e Shkencave, por i takon që të bëjë këtë gjë, nuk është për të bërë promovime dhe funerale.
I takon që të bëjë vepra të tilla, por nuk duhet që këto tekste të imponohen me dhunë. Në të gjithë botën ka tekste akademike dhe tekste të tjera alternative”, tha Plasari.
Sipas Plasarit duhet të ketë tekste alternativë, dhe të mos ketë vetëm një tekst që t’u imponohet të gjithëve.
“E gjithë çështja është nëse do të kërkojë shoqëria alternativë, duhet parë nëse e kanë fuqinë për këtë gjë apo jo. Mua më duket se nuk e ka shoqëria fuqinë për të krijuar alternativën”, shtoi ai.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



