Paralajmërimi: Nuk do të ikë vetëm Balluku, dhe ministra të tjerë
Plator Nesturi, komentoi situatën e krijuar pas akuzave të SPAK ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë. Sipas tij, largimi i Ballukut nga detyra nuk do të jetë i vetmi ndryshim në kabinetin qeveritar.
Nesturi u shpreh se zhvillimet e fundit në drejtësi pritet të sjellin pasoja për disa ministra të tjerë, të cilët mund të mos jenë më pjesë e qeverisë, pikërisht për shkak të hetimeve dhe akuzave të natyrës korruptive.
Ai e cilësoi këtë situatë si një “moment historik”, ku vendi duhet të vendosë një ndarje të qartë nga mënyra e deritanishme e qeverisjes.
“Jemi në një pikë kthese,” tha Nesturi, “ku shfaqet qartë nevoja për t’u ndarë nga praktikat e qeverisjes që kanë prodhuar korrupsion. Ai ka qenë pengesë serioze, si për integrimin, ashtu edhe për zhvillimin e vendit.”
Duke folur për rolin e akuzave individuale, ai theksoi se secili rast duhet parë sipas provave dhe përgjegjësive konkrete, por vendi nuk mund të ecë përpara pa adresuar qartësisht këtë fenomen.
Sipas tij, lufta kundër korrupsionit është kthyer në një provë thelbësore për besimin te drejtësia dhe institucionet:
“Nëse devijohet kjo rrugë, rrezikojmë të cënojmë ecurinë drejt integrimit dhe besimin te SPAK-u,” u shpreh Nesturi në emisionin “Log”, duke nënvizuar se çdo zyrtar që kthehet në pengesë për këtë proces duhet të mbajë përgjegjësi, pavarësisht qëllimit apo funksionit që ka pasur.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



