E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Parazitizmi kamikaz
OP-ED

Parazitizmi kamikaz

Një qeverisje autoritare politike është plotësisht e mundur dhe madje edhe e qendrueshme vetëm në kushtet e një ekonomie të lirë që u mundëson njerëzve të punojnë e të pasurohen. Këtë e vërtetojnë rastet e plot regjimeve autoritare e gjysëm-autoritare në Azi. Ajo që e hedh poshtë një regjim autoritar është kombinimi i një regjimi autoritar politikikisht dhe varfërues ekonomikisht. Njerëzit mund të tolerojnë mungesën e lirisë politike, por jo edhe varfërimin që sjell mungesa e lirisë ekonomike. Qeverisja jonë aktuale me sa duket planifikon të thellojë autoritarizmin drejt kufinjve të groteskut, siç treguan “me nder jush” zgjedhjet e fundit, por pa u dhënë mundësinë njerëzve të përmbushin sadopak ambiciet ekonomike.
Ajo që e mban ende pushtetin socialist në këmbë është fakti që një pjesë e elektoratit jeton me plaçkitjen e pasurisë së vendit në kurriz të gjithë të tjerëve. Disa dhjetëra në majat e pushtetit që marrin pjesën më të madhe të plaçkës dhe disa dhjetëra mijëra të tjera që ngopen me një vend pune në shtet apo abuzime të vogla. Por çdo ditë që kalon e zvogëlon këtë elektorat mbështetës, sepse plaçka elektorale tkurret derisa të vijë një pikë kur as vetë ata mijëra vetë që përfitojnë nga pushteti nuk do të kenë çfarë të përfitojnë më në një ekonomi të rraskapitur.
Edi Rama mund të kishte qeverisur edhe për 50 vjet të tjera Shqipërinë nëse do t’u kishte krijuar shqiptarëve mundësitë për sipërmarrje normale: më pak taksa, më pak korrupsion, sistem drejtësie funksional. Por ai ka zgjedhur planin afatshkurtër të mbështetjes te ata që varen prej tij për të jetuar në kurriz të të gjithëve. Shqiptarët mund t’i falin kollaj autoritarizmin politik, siç ia falën Berishës, madje siç ia kanë harruar pjesërisht edhe Enver Hoxhës. Por nuk do të tolerojnë për një kohë të gjatë varfërimin. Për një pjesë të tyre, është edhe më tepër se kaq: është ndjesia e padurueshme e xhelozisë së klientëve të PD-LSI-së ndaj klientëve të PS-së. Për këta problemi nuk është moral apo ekonomik, por konkurrencial.
Në dritën e këtij pikëvështrimi qeverisja aktuale nuk është thjesht shteruese për ekonominë, ajo është edhe dritëshkurtër për vetveten. Është strategjia e një paraziti që vret trupin me të cilin ushqehet duke zhdukur edhe burimin e ushqimit.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.