E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Parulla e protestës desh më çoi tek spitali 5
Publik News

Parulla e protestës desh më çoi tek spitali 5

P R O T E S T Ë!!

E vendosëm gjatë një diskutimi në grup. “Po sikur të dielën, ora 12.00 të dalim të gjithë jashtë për ti dhënë mesazhin e mosbindjes Ramës i cili po qeveris si Haxhi Qamili e jo si politikan”?
Ideja u pëlqye pa masë! Jo dhjetra, por qindra miq facebook-u e përkrahën. Fantazia shpërtheu me përmasa të frikshme! Pati nga ata që ishin gati të ngrinin barrikada rrugëve, por të tjerët qetësonin duke shprehur bindjen se një veprim dinjitoz qytetar, pra një dalje masive në rrugë, para banesës tënde, do të qe një protestë efikase dhe do ta kthente Ramën në binarë për të mos vazhduar gomarllëqet me burgje, sekuestrime e të tjera.
Pra kështu e lamë.

E dielë, ora 12.00.

Unë kisha një karton të madh në shtëpi. E preva sa shtrirja e dy krahëve hapur dhe me bojë të zezë këpucësh shkruajta: # UnëNukRriNëShtëpi.
Gjithë natën nuk vura gjumë në sy. Jo nga emocioni por prej mesazheve. “Ore mos harro nesër ë”? ” “Nesër ndërron ora. Në 12.00 me orën e re apo të vjetër do dalim”? “Po ra shi a të marrim çadra”? E plot të tjera prej këtyre.

Në mesditë, kur këmbana e Katedrales Ortodpkse ra 12 herë dhe ajo e sahatit në qendër 11 herë, se Bashkia nuk e kishte ndërruar, unë zbrita poshtë me hap të vendosur. Dola në rrugë dhe shpalosa pankartën” # UnëNukRriNëShtëpi”. Xhan- xhin asnjeri tjetër në rrugë. Për dreq më kishte mbaruar dhe oferta e nuk merrja vesh gjë ç’bëhej në facebook. Zbrita një herë nga xhamia e rrugës së Kavajës deri te Kisha Katolike. Pankartën e mbaja lart. Filluan të shfaqen kurreshtarë pas xhamave të dritareve. Thërrisnin njëri – tjetrin, qeshnin, bënin foto. Unë u ktheva dhe u ngjita sërish drejt qendrës. Me çap të ngadaltë. Booosh rruga fare. Një qen i shtrirë para kasapit dhe dy kumuri në një shtyllë që po përgatiteshin për çiftim. Edhe unë me pankartën e tendosur mbi kokë. Qafa filloi të më dhembë dhe krahët të më dridhen nga koha e gjatë që i mbaja përpjetë por nuk mund të dorëzohesha! I kishim dhënë besën njëri -tjetrit se do protestojmë dhe nuk mund të tradhëtoja.

Më shkrepëtiu në mendje puna e orës. Ai djall sahati që ra 11 herë! Ai na ka ngatërruar.

Erdha vërdallë derisa këmbana e Katedrales Ortodokse ra 1 herë e pas 2 minutash këmbana pas Bashkisë buçiti 12 herë. U mbusha me frymë. “Tani do vërshojnë rrugëve shqiptarët! Ta shohë Rama ç’do të thotë rezistencë popullore, mosbindje civile, përgjigje e një populli që nuk duron padrejtësi dhe për lirinë është gati të japë edhe jetën”!
Vazhdova me krahët pothuaj të mpirë lart ne parrullën “# UnëNukRriNëShtëpi” Tashmë ca dritare qenë të hapura dhe mbushur me njerëz gazmorë që shijonin lëvizjet e mia dhe nuk pushonin me foto. Nga ora 1 e një çerek mbërrin një makinë policie. U bëra gati për konflikt!
– Zotëri, si ndjeheni? – më foli një çupë simpatike me uniformë. Femër qe, me të butë foli e në një farë mënyre më çarmatosi.
– Mirë falemnderit – mërmërita – po ju?
– Dëshironi t’ju shoqërojmë në spital? – më tha sërish me të butë
– Mirë jam unë! – ia kthej – as temperaturë s’kam, as kollë, as trupi më dhemb…
– E kisha fjalën tek spitali 5! Po nëse i keni ilaçet me vete ose në shtëpi, nuk ka problem. Ditë të mbarë – më tha dhe nisën makinën…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.