Një farmaci e vendosur pranë pallatit që u përfshi nga flakët pak ditë më parë në Tiranë, është shembur nga Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT).
Sipas informacioneve, ndërtesa rezultonte e ngritur pa leje dhe kishte zënë hapësirë publike, duke shkaktuar ngushtim të ndjeshëm të rrugës.
Kjo situatë ka ndikuar drejtpërdrejt edhe në menaxhimin e emergjencës gjatë zjarrit, pasi mjetet zjarrfikëse kanë hasur vështirësi serioze për të depërtuar në zonë.
Burime nga terreni bëjnë me dije se pikërisht kjo pengesë ka vonuar ndërhyrjen në momentet kritike të përhapjes së flakëve, duke rritur rrezikun për banorët dhe dëmet materiale.
Shembja e objektit konsiderohet një masë e vonuar, por e domosdoshme për të shmangur situata të ngjashme në të ardhmen dhe për të garantuar akses të lirë për shërbimet emergjente.







