Për Berishën fajtor janë të gjithë, përveç tij dhe kupolës së PD
Në selinë e Partisë Demokratike ka nisur pak minuta më parë mbledhja e Këshillit Kombëtar, në një atmosferë të tensionuar, ku tensioni duket më shumë si spektakël i brendshëm sesa diskutim për të ardhmen e partisë. Kryetari i PD-së, Sali Berisha, në fjalën e tij hapëse, nuk la gur pa e kthyer: procesi zgjedhor në Shqipëri është, sipas tij, një “farsë e organizuar nga shteti elektoral”. Dhe sigurisht, sipas Berishës, fajtor për këtë farsë nuk është ai, as drejtimi i tij, as mungesa e mbledhjeve për 7 muaj – por gjithçka tjetër dhe të gjithë të tjerët.
“Ata që flasin për zgjedhje, në thelb dhe me dashje ose pa dashje, justifikojnë farsën,” tha Berisha, duke shtuar se gara midis shtetit elektoral dhe partive politike nuk është garë, por një farsë e pastër. Ai argumentoi me një dozë të veçantë ironi: qeveria organizon “4533 aktivitete, përfshirë ditën e votimit, 7 milionë Giro d’Italia”, por nuk ka zgjedhje reale, sepse sipas tij, çdo përpjekje për të deformuar procesin elektorale është faj i palës tjetër, jo i tij dhe kupolës që udhëheq PD-në prej vitesh.
Berisha nuk kurseu as mirënjohjen për vetveten dhe ekosistemin e tij politik: “Ne jemi njerëz të fjalës dhe ne mbahemi për fjalën tonë: e para, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, e dyta, ne u kemi thënë shqiptarëve se do të mbrojmë votën, dhe e mbrojtëm votën.” Pra, sipas tij, edhe pse partia humbi në 11 maj, përgjegjësi nuk ka ai – sepse faji është i qeverisë, i shtetit, i çdo qytetari që nuk e kupton “procesin zgjedhor”, dhe ndoshta edhe i rrymës së erës.
Në fjalën e tij, Berisha theksoi gjithashtu madhështinë e fushatës së PD-së më 11 maj: “Fushata më e shkëlqyer në historinë e PD-së, me arkitektin e fitores së Presidentit Trump, me programin më të mirë të partisë, dhe mbështetjen më të madhe nga organizatat e partisë së qendrës së djathtë.” Natyrisht, të gjitha këto nuk mjaftuan, por, sipas tij, arsyeja e humbjes nuk është kurrsesi drejtimi i tij apo mungesa e rinisë aktive në kupolën e PD-së – fajtor janë gjithçka tjetër.
Në mënyrë të përsëritur, Berisha e quajti fushatën zgjedhore një “farsë elektorale” dhe paralajmëroi se kushdo që tenton të fajësojë opozitën për rezultatin e humbur, “bën një gabim të madh, sepse në substancë dhe në thelb justifikon farsën”. Me pak fjalë: kur humb PD, Berisha nuk sheh asnjë faj tek vetja – fajtor është gjithçka dhe të gjithë, përveç tij dhe bashkëpunëtorëve të tij që qëndrojnë në kupolën e partisë.
Ndërkohë, kritikat për mungesën e mbledhjeve të Këshillit Kombëtar për 7 muaj dhe për vendimet e diskutueshme brenda partisë mbeten pezull, ndërsa Berisha vazhdon të luajë rolin e mbrojtësit të votës dhe të drejtësisë, duke e vendosur veten në qendër të të gjitha zhvillimeve, edhe kur rezultati i zgjedhjeve nuk është ai i dëshiruar.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



