Përgjime dhe pazare droge, dosja e zezë e burgut të Elbasanit
Tre persona janë arrestuar nga Policia e Shtetit, pasi dyshohet se ishin të përfshirë në futjen e lëndëve narkotike brenda ambienteve të Burgut të Elbasanit.
Në pranga ranë punonjësi i policisë Ndriçim Kroi, i paraburgosuri Gerald Stamolla, si dhe një grua, familjare e këtij të fundit, Esmeralda Komici.
Sipas dosjes hetimore anë zbardhur biseda telefonike të zhvilluara mes efektivit të policisë Ndriçim Kroi, bashkëshortes së tij Majlinda, si dhe Esmeralda Komicit, e cila dyshohet se siguronte lëndën narkotike nga Tirana për t’ua shpërndarë të paraburgosurve në Elbasan.
Nga përgjimet rezulton se Esmeralda Komici komunikonte vazhdimisht me Ndriçim Kroj, herë përmes telefonit të tij personal dhe herë përmes telefonit të bashkëshortes së tij, duke u koordinuar për marrjen e “mallit” dhe futjen e tij në qelitë e burgut.
Në një nga komunikimet, Esmeralda i kërkon efektivit të takohen pranë burgut, por ky i fundit refuzon dhe propozon një vend tjetër takimi.
“He mo Çim a do vish te burgu të takohemi, të lutem?”, i shkruan Esmeralda, ndërsa Ndriçimi i përgjigjet: “Jo jo aty svij dot un, hajde icik ma përpara te rrethi”.
Pjesë nga dosja hetimore
Në datë 10.07.2025, ora 10:38 AM, Majlinda, me numër kontakti 067…, telefonon Ndriçimin.
Ndriçimi: Alo, Alo.
Majlinda: Me degjon?
Ndriçimi: Hë?
Majlinda: Po atë porosin që kam un te çanta, un do ti mbaj tani?
Ndriçimi: Obobo ik iher ik merr ma von.
Në datë 14.07.2025, ora 05:17 PM, Ndriçimi telefonon Esmeralda Komicin me numër kontakti 068…
Esmeralda Komici: Alo!
Ndriçimi: Ça bën Ada si je?
Esmeralda Komici: Je në punë ti sot?
Ndriçimi: Isha i pari, atij isha.
Esmeralda Komici: Ok po do kalosh më vonë nga unë?
Ndriçimi: Vallai nuk e di… është full tha ai.
Esmeralda Komici: Ore çdo gjë në rregull mo vëlla, thjesht hajde mere dhe ik.
Ndriçimi: Të marr paketën, të marr dhe lekët, të marr cigare…?
Esmeralda Komici: Po bravo.
Ndriçimi: Mir me është tamam kjo.
Në vijim, përgjimet tregojnë koordinim të vazhdueshëm për orare, vende takimi dhe shmangie të vëzhgimit, ndërsa Ndriçimi shfaq shqetësim për t’u parë pranë burgut.
Në datë 15.07.2025, ora 02:44 PM:
Esmeralda Komici: Alo, tani po vi un për Elbasan ku do takohemi ne?
Ndriçimi: Te kryqëzimi i Cërikut, kur të afrohesh më kalo shoferin në telefon.
Në orët pasuese, komunikimet bëhen edhe më të shpeshta, duke përfshirë përdorimin e telefonit të bashkëshortes së efektivit për të shmangur dyshimet.
Në një nga bisedat:
Ndriçimi: Aaa kupton ti që nuk dua që të më shofin, e pak kaloje burgun.
Nga dosja rezulton se të dy ndodheshin shumë pranë burgut, por nuk po arrinin të koordinoheshin për shkak të frikës nga vëzhgimi.
Në orën 04:04 PM, Esmeralda Komici i dërgon SMS Ndriçimit:
“Yllson Berberi e ka emrin ai.”
Detaje të tjera nga dosja
Hetimi ka zbuluar gjithashtu se Esmeralda Komici nuk ofronte vetëm shërbime për shpërndarje të lëndëve narkotike, por sipas përgjimeve, dyshohet edhe për përfshirje në shërbime seksuale.
Në dosje pasqyrohen mesazhe dhe biseda telefonike që flasin për takime në ambiente hotelesh, negociata çmimesh dhe koordinim vendndodhjesh.
Përgjimet e datës 17.07.2025 tregojnë komunikime të detajuara për takime në zona të ndryshme të Tiranës, përfshirë Ali Demin, Shkozën dhe ambiente hotelesh, ku palët diskutojnë orare, çmime dhe mënyrën e pagesës.
Hetimet për këtë dosje vijojnë, ndërsa autoritetet po analizojnë rolin e secilit të përfshirë në këtë skemë, që sipas prokurorisë, shtrihej nga jashtë deri brenda ambienteve të burgut të Elbasanit.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



