Përse nuk duhet të tallen me Presidentin?
Presidenti është figura më e rëndësishme dhe simbolizon vet unitetin kombëtar, është garant i Kushtetutës dhe është një ndër shtyllat më të rëndësishme të funksionimit të shtetit. PS ka shumicën në një parlament jo legjitim e megjithatë ajo ka vazhduar ta përdor parlamentarizmin për qëllime politike. De fakte, i gjithë parlamenti aktual është i PS, ose nën diktatin e PS, sepse deputetët që përfaqësonin partitë politike opozitare, u tërhoqën.
E kam përsëritur disa herë se në një vend me demokraci normale dhe me sistem partiak të shëndosh kjo legjislaturë do të kishte mbaruar me kohë, pa u bërë zgjedhjet moniste lokale. Në një situatë si kjo, që po kalon vendi, ku ekuilibri i pushteteve nuk ekziston dhe ku de fakto nuk ekziston opozita parlamentare, Presidenti ka qenë dhe vazhdon të mbetet, në parim, i vetmi institucion i pa kapur dhe një garant i Kushtetutës.
Luftë e madhe është bërë për ta kapur edhe këtë të fundit si duke e luftuar frontalisht dhe politikisht, duke e quajtur “Zyrë të Opozitës”, por edhe me mekanizma institucionalë, siç ishte ngritja e Komisionit Hetimor për Presidentin me qëllim për ta shkarkuar. Sikur të mos mjaftonte kjo, kemi parë disa herë në studio televizive anëtarë të komisionit, duke deklaruar se Presidenti do të shkarkohej. Madje, nuk kanë munguar rastet kur në deklaratat e tyre kanë përvetësuar edhe kompetencat ekskluzive të Gjykatës Kushtetuese që, për fat të keq, vazhdon të mos jetë në gjendje të marr vendime, apo të bëjë interpretime kushtetuese. Përmes këtij Komisioni Hetimor kjo shumicë ka shantazhuar për më shumë se një vit institucionin e Presidentit e po ashtu ka dëmtuar imazhin e këtij institucioni përballë qytetarëve, duke politizuar çështje që ishin e janë kompetencë e tij.
Pak juristë të zotë, të pavarur e në shërbim të vendit, e kishin parashikuar si nul punën dhe konkluzionet e këtij komisioni. Sot, po Komisioni është shprehur që shkeljet Presidentit nuk janë të mjaftueshme për shkarkim.
Në fakt, një ndër pak gjërat që janë më serioze në gjithë republikat parlamentare dhe ato presidenciale të Perëndimit janë komisionet për hetim, apo shkarkimin e presidentit. Këto komisione ngrihen vetëm kur të dhënat janë konkrete për shkelje dhe zakonisht, nëse presidentët nuk tërhiqen para vendimit, përfundimi i tyre ligjor është shumë i rëndë e këtu duhet të kemi parasysh rastin e famshëm kundër Nikson. Presidenti s’mund të konsiderohet si kryetar partie, si opozitar apo si kryetar opozite dhe për pasojë e sidomos shumica duke qenë se ka shumicën në Parlament ka më shumë përgjegjësi për të treguar seriozitet në ruajtjen e balancave dhe kontrollit të pushteteve.
E gjithë historia e Komisionit të Hetimit kundër Presidentit dëshmon qartë nivelin e ulët profesional të këtij parlamenti, nivelin e ulët institucional dhe kapjen e tij në formë banale, fillim e mbarim, nga politika. Nëse i gjithë Komisioni Hetimor ishte, ose mund të konsiderohet, një show politik kundër Presidentit, ky i fundit ka përgjegjësi kushtetuese që këtë shumicë dhe këtë komision ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese për të mos u përsëritur më komisione të ngjashme politike kundër institucionit të Presidencës.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



