E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Platforma e Këshillimit Kombëtar dhe rindarja territoriale
Lajme

Platforma e Këshillimit Kombëtar dhe rindarja territoriale

Numri i shqiptarëve që kanë plotësuar pyetësorin e Këshillimit Kombëtar e ka kaluar 300-mijëshin (sipas Kryeministrit Rama). Në të nuk ka ndonjë pyetje rreth mënyrës se si kanë votuar të anketuarit në zgjedhjet e fundit parlamentare, por gjasat janë të mëdha që shumica dërrmuese e atyre që e kanë marrë mundimin ta plotësojnë pyetësorin të jenë votues socialistë.

E kështu, ky eksperiment statistikor i financuar nga xhepi i taksapaguesve shqiptarë – të majtë, të djathtë e asnjanës – me shumë gjasa, mund të vlejë për të mbledhur vetëm opinionin e votuesve socialistë rreth pyetjeve të ngritura në pyetësor.

Ndërkohë, një pyetje që tashmë është ngritur institucionalisht nga një komision i posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë është sesi duhet të rindahet territori i vendit, në mënyrë që të materializohen më mirë kriteret gjeografike, historike e ekonomike në ndarjen territoriale.

Për të diskutuar rreth këtyre kritereve në Komisionin e Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë duhen thirrur patjetër ekspertë të këtyre fushave. Por e rëndësishme është të dëgjohen edhe opinionet e banorëve të thjeshtë të qyteteve, qytezave e fshatrave shqiptare, që mund të preken nga rindarja territoriale.

Për shembull, një banor i Zall-Herrit mund të dojë t’i ketë zyrat e bashkisë së tij në Kamzë, e jo në Tiranë (nëse do t’i duhet të zgjidhë një problem konkret). Një banor i Paskuqanit apo i fshatrave përreth mund të dojë ta ketë bashkinë e tij në Paskuqan, e jo në Kamëz (nëse do t’i duhet të zgjidhë një problem konkret). Një banor i Tomorricës ndoshta e ka më kollaj të shkojë në Gramsh sesa në Çorovodë, për një problem të tijin. E kështu me radhë e me radhë, nga Vermoshi në Konispol…

Zhvillimi i sondazheve të hollësishme për t’u dhënë përgjigje këtyre qindra pyetjeve specifike të zonave të veçanta lokale (për të cilat shumica e shqiptarëve, përveç banorëve të zonave në fjalë, nuk janë në dijeni), do të kërkonte një angazhim praktikisht të parealizueshëm në terren. Por platforma e Këshillimit Kombëtar, e strukturuar mirë për këtë qëllim konkret (jo me pyetje amorfe, si aktualisht), mund të japë përgjigje statistikisht të vlefshme për rindarjen territoriale.

Dhe Komisioni i Posaçëm i Kuvendit të Shqipërisë duhet të ketë akses të plotë në këtë rast. Kështu, opinionit të specialistëve që do të thirren në Komisionin e Posaçëm të Kuvendit të Shqipërisë, mund t’u shtohet edhe opinioni i banorëve të thjeshtë të zonave lokale që pritet të preken nga rindarja territoriale…

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.