Detaje të reja kanë dalë në dritë nga sherri i ndodhur mbrëmjen e sotme në qytetin e Fierit.
Dy të rinj, të cilët po lëviznin me një makinë tip Benz C Class me targa AA 600 MU, i kanë prerë rrugën një personi tjetër i cili po drejtonte një makinë tip OPEL me targa AA 683 EO, ku udhëtonte edhe një vajzë, që mendohet të jetë “molla e sherrit”. Qarkullojnë informacione se vajza në makinën e gazetarit, ka pasur lidhje me dy djemtë që udhëtonin me Benz.
Njëri prej të rinjve që udhëtonte në makinën tip “Benz” ishte efektiv policie, jashtë shërbimi, ndërkohë që pistoletën e punës e kishte me vete, si dhe mbante në dorë një sqepar.
Nga “Benzi” kanë dalë dy djemtë dhe me sqepar kanë goditur dritaren e Opelit duke thyer xhamin e shoferit (Xhoen Osmënaj), i cili ishte punonjës i një portali informativ. Nuk dihet ende zanafilla e këtij sherri, por mendohet se ka filluar nga disa komunikime në telefon, e më pas ka agravuar në rrugë. Në video shihet edhe vajza që përpiqet t’i ndalojë djemtë të ushtrojnë dhunë.
Në vendngjarje ka mbërritur menjëherë patrulla e policisë. Pritet një njoftim zyrtar nga uniformat blu.



