Posta Shqiptare kthehet në zyrë mikrokredie për Iute CrediT

Shteti në krah të borxhit, jo qytetarëv
Ndërkohë që Banka e Shqipërisë paralajmëron për rritjen alarmante të rrezikut nga kreditë e pakontrolluara dhe praktikat agresive të huadhënies, një institucion publik ka zgjedhur të ecë në drejtim të kundërt me interesin qytetar. Posta Shqiptare, një shërbim historikisht i destinuar për logjistikë, komunikim dhe pagesa bazë, po shndërrohet në pikë aplikimi për kreditë e Iute Credit, një nga kompanitë më të kritikuara të mikrokredisë në vend.
Nga sportele publike… në sportele borxhi
Në një njoftim të publikuar në rrjetet sociale, Posta Shqiptare informoi qytetarët se tanimë mund të aplikojnë për kredi të Iute Credit direkt në sportelet e saj, duke e shitur këtë si “shërbim të ri lehtësues”.
Por pas këtij marketingu të butë qëndron realiteti i rëndë:
kredi me interesa shumë më të larta se bankat, tarifa shtesë, penalitete dhe një risk i madh financimi për shtresat më vulnerabël të shoqërisë.
Pjesa më e madhe e klientëve të mikrokredive janë persona me të ardhura të ulëta, të papunë, ose me histori të dobët kredie njerëz të cilët bankat nuk i financojnë. Kjo i kthen në “target ideal” për kompani që sigurojnë fitime të mëdha përmes interesave të larta dhe marrëveshjeve të paqarta.
Skandalet e mikrokredive: nga varfërimi i qytetarëve deri te humbjet e jetëve
Vitet e fundit, sektori i mikrokredive në Shqipëri është shndërruar në simbol të shfrytëzimit financiar. Skemat e “grabitjes ligjore” me interesa marramendëse kanë prodhuar mijëra viktima ekonomike dhe në disa raste, edhe viktima në kuptimin më tragjik të fjalës, ku presioni për kthimin e borxheve ka çuar në humbje jetësh.
Megjithëse këto ngjarje janë ende të freskëta, një institucion shtetëror si Posta Shqiptare po i hap dyert për zgjerimin e këtij modeli të rrezikshëm, duke i dhënë mikrokredisë një lloj legjitimiteti publik përmes logos së shtetit.
Banka e Shqipërisë paralajmëron, Posta Shqiptare bën të kundërtën
Nuk është hera e parë që Banka e Shqipërisë thekson nevojën e kontrollit të rreptë të aftësisë paguese të kredimarrësve, kufizimit të riskut dhe shmangies së huadhënies agresive që i çon njerëzit në spirale borxhesh.
Megjithatë, në vend që të zbatojë këtë frymë mbrojtëse, Posta Shqiptare po shndërrohet në ndërmjetëse të kreditimit të rrezikshëm, duke i ekspozuar qytetarët më të pambrojtur ndaj skemave financiare që i varfërojnë më tej.
Emërimi i Etjen Xhafajt dhe çështja e kapjes së institucioneve
Pikërisht në këtë klimë, në krye të Postës Shqiptare është emëruar së fundmi Etjen Xhafaj, ish-deputet i Partisë Socialiste.
Ky emërim politik i shton dyshimet se institucione të tëra po transformohen në platforma biznesi për aktorë privatë që kërkojnë akses te rrjetet publike dhe klientët e pambrojtur.
Rasti i Postës Shqiptare është një shembull domethënës se si zyrat e shtetit po përdoren për të promovuar modele financiare që dëmtojnë qytetarët, në vend që t’i mbrojnë ata.
Në thelb, Posta Shqiptare nuk po i shërben interesit publik por po i shërben borxhit.
Dhe ky është sinjali më i qartë se kapja e institucioneve nuk është më teori, por praktikë e përditshme.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



