PREJ SOD, BAHEN 79 VITE PREJKUR AI KALOI N’AMSHIM
Pak personazhe t’spikatuna t’shqyptaris kanë pasun fatin e At Gjergj Fishtës, në të mirë dhe të keq. Vdiq dhe u përcoll me nderime t’mëdha duke lan përmbas një akt të pashoq krijimi. U ngjit në qiell për me xan vendin e meritum e u gropos në skutat ma t’terrta t’ferrit komunist. U kuptue dhe shjtnue, u keqinterpretu dhe u keqpërdor.
Çmos bani e çmos provoi në t’gjall e në t’dekund. Hoqi n’mish e n’eshtna. E shvarruen e n’lum i’a kadhën çka kishte mbetun, si një dëshmi e nji urretje dhe hakmarrje t’përbindshme, jo krejt ndaj tij, por ndaj veprës dhe emnit qi bani tan ajo plejad zelltarësh t’pashembullt, t’klerit e atdhetarizmit. Për komunizmin gjithçka qi buronte e bulonte prej njasaj vullnese t’hyjshme, duhej shue, duhej shpërba, duhej kall n’skutat ma t’thella t’anatemës.
Thue se ai, At Gjergj Fishta… ata krejt, klerikë dhe intelektualë, dijeshumë e pasionant, ngulmëtarë e ngadhnjyes, shërbestarë dhe martirë, nuk ishin pikërisht njata t’cillët kishin vu themelet e njasaj Shqypnie, kishin nxjerr njikët përkatësie gjeografike dhe atdhetare nga pluhni dhe balta mbytëse e asimilimit dhe asgjesimit osman. Thue se nuk ishte ai, At Gjergj Fishta, e do burra t’zashëm, zemra flakatere, mendje t’kthejllta, t’cillët na banën me gjuhën tonë, me histori, me muzikë, futboll, lëtërsi, arte, me shkolla, e grupime patriotike e kulturale.
Tankjo ishte jo vetëm nji vepër drite, por edhe nji tmerr për bishën e territ, e cilla tue skërmit dhamt e gjakosun e tue u jargit helëm e pezëm, po donte me shue etjen dhe ujën e vet, tue pi gjakun e tue hangër t’gjallt e t’dekun, t’gjithçkaje qi për te asht pengim, asht vetëdije për me sundu e me nënshtrue me hekur e me gjak.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



