E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Presidentja e Kosovës reagon ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare në Kumanovë
Lajme

Presidentja e Kosovës reagon ashpër ndaj thirrjeve antishqiptare në Kumanovë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar me shqetësim të thellë pas thirrjeve antishqiptare që u dëgjuan gjatë ndeshjes së futbollit mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë, e zhvilluar në Kumanovë.

Në një deklaratë zyrtare, Osmani i ka cilësuar thirrjet ekstremiste dhe diskriminuese si “të papranueshme dhe në kundërshtim të plotë me frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë”, që sipas saj duhet të karakterizojë çdo shoqëri që synon integrimin në Bashkimin Evropian.

Presidentja theksoi se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre dhe meritojnë trajtim me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër në rajon.

“Më shqetësues është heshtja e zyrtarëve të lartë shtetërorë në Shkup, të cilët nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe përjashtuese e urrejtjeje,” – thuhet në deklaratën e Osmanit. Ajo paralajmëron se mungesa e një reagimi institucional krijon hapësirë për retorika që minojnë paqen dhe tolerancën ndëretnike.

Osmani theksoi gjithashtu rolin që sporti duhet të luajë si urë bashkimi, jo si platformë për nxitjen e urrejtjes. “Sporti duhet të frymëzojë solidaritetin dhe mirëkuptimin, jo të shndërrohet në arenë për ideologji përçarëse që kujtojnë periudha të errëta të historisë sonë,” u shpreh ajo.

Në përfundim, Presidentja e Kosovës u bëri thirrje autoriteteve në Maqedoninë e Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme ndaj organizatorëve dhe përgjegjësve për këtë ngjarje, duke kërkuar ndëshkimin e çdo forme të gjuhës së urrejtjes dhe mbrojtjen e parimeve të bashkëjetesës demokratike.

“Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin dhe të drejtat e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë,”përmbyll deklaratën Presidentja Osmani.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.