E martë, 20 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Profesor Fuga i bën skanerin situatës politike: Nga “bashkëjetesa” Berisha-Meta te muzika tallava e fushatës së Ramës dhe Alibeaj pa elektorat
Sot

Profesor Fuga i bën skanerin situatës politike: Nga “bashkëjetesa” Berisha-Meta te muzika tallava e fushatës së Ramës dhe Alibeaj pa elektorat

Profesori dhe akademiku i njohur, Artan Fuga, si një ekspert i komunikimit, analizoi nisjen e fushatës politike nga partitë në garë, ndërsa u ndal pak edhe tek kënga e zgjedhur nga Partia Socialiste për të shoqëruar këtë proces.

Profesor Fuga tha se në vendin tonë nisja e fushatës politike në formë feste ka mbetur si traditë, dhe se partitë duket se ndjekin njëra tjetrin. Ai tha se çelja e fushatës në këtë formë, mund të jetë të nevojshme për paraqitjen në media, por nuk i sheh si të dobishme politikisht.

E sa i takon përzgjedhjes së muzikës apo këngës që shoqëron fushatën, tha se vjen si një nevojë për të mbushur një semantikë të munguar.

“Mendoj se ato janë aktivitet masive elektorale që ndoshta janë të domosdoshme për paraqitje në media, kanë një rendimet, por mbase kanë dhe një lloj kuptimi për liderit në plan kombëtar të partive që paraqiten atje.

Ndoshta japin dhe një manifestim të një pamjeje artistike, por nuk mendoj se kanë dobi elektorale dhe besoj se nuk do sjellin ndonjë ndryshim në votë. E para sepse dy partitë i bëjnë, dhe kanë një efekt neutralizues ndaj elektoratit gri.

E dyta, ka një lloj autizmi në fushatë, që unë mbledh atje militantët aktiv, votat e të cilëve i kanë.. pra në atë miting nuk fitojnë gjë. Të dy palët e kanë dhe nga kjo anë them që është një festë e mbetur nga tradita, por s’di sa e vlefshme është për fushatën.

Jashtë këto fushata janë më të lehta, ndërsa këtu ka mbetur, dhe po e bëri njëra parti do ta bëjë dhe tjetra. Kanë një karakter simbolik por politikisht janë të padobishme.

Muzika në përgjithësi mendoj se kërkon të mbushë një semantikë të munguar, pra kur nuk ke shumë për të thënë e propozuar, s’ka më mirë se muzika. E dyta një muzikë që i përshtate një aktiviteti masiv, ku ka një elitë drejtuesish politik dhe një mase, grumbullim individësh të paidentifikuar. Pra një lloj zhurme që mbulon këtë defekt komunikimi”, tha ai.

Nga ana tjetër, Fuga foli edhe për bashkëjetesën politike mes Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe dalja me një koalicion. Sipas akademikut, koalicioni mes tyre ishte si një formë e detyruar përsa u takon rrethanave në të cilat ata ndodheshin.  Ndërkohë ai shprehet se ky koalicion do të ndikojë në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme.

“Bashkëveprimi i tyre është i detyruar nga rrethanat. Berisha nuk kishte mundësi të regjistrohej, Meta kam përshtypjen që kishte partinë por për shkak të dinamikave në LSI e dikurshme, pra kishte partitë por nuk kishte shumë elektoratin. Një solidaritet organik. Një aleancë e cila është e shkruajtur nga domosdoshmëria e dy palëve, i bashkon fakti se dy palët kërkojnë që monopoli në pushtetin lokal të thyhet. Është një traditë e aleancës së tyre, sepse kur Berisha u shpall non-grata, Meta në një farë mënyrë i qëndroi në mbështetje. Ka një problem, që është një plotësim i kësaj natyre që do ketë një ndikim në të ardhmen. Supozojmë që një bashki fitohet nga kandidati i opozitës, dhe lista e kandidatëve do jetë nga partia e Metës dhe grupimi i Berishës, pra do jetë një aleancë dhe marrëdhënie afatgjatë në të gjitha këshillat bashkiakë, dhe ku fitojnë dhe atje ku nuk fitojnë. Për zgjedhjet e ardhshme kombëtare kjo gjë do ndikojë”, u shpreh profesor Fuga.

Por si i sheh Fuga deklaratat besimplotë të Enkelejd Alibeajt, kur thotë se do të dalin triumfues nga kjo garë?! Sipas tij këto janë deklarata që bëhen nga të gjitha forcat politike, ndërsa sa i takon rastit konkret, thotë se e sheh të vakët dhe të rrudhur elektoratin. Ai thotë se mendon që Alibeaj do të hasë vështirësi para elektoratit… “por çdo gjë mund të ndodhë”.

“Secila palë me këto slogane triumfuese kërkon t’i japë besim vetes dhe ndjekësve të vet dhe të krijojë një iluzion të një lëvizjeje masive, dhe këtë e krijojnë të gjitha partitë.

Mendoj se Alibeaj do ketë vështirësi para elektoratit, sepse do përfaqësojnë një parti që është provuar se ka mbështetje nga gjyqësori, por që vetë ata këtë gjyqësor e kanë anatemuar. E dyta, nuk kanë arritur të mbulojnë të gjitha bashkitë. Këto tregojnë potencën elektorale në shkallë kombëtare të lëvizjes. E treta, marrëdhëniet me elektoratin dhe militantët kanë qenë shumë të zbehta.

Nuk kam parë takime masive. A do ketë një elektorat i cili të jetë i shkëputur nga PD tradicionale dhe të qëndrojë në politikë për ta dhënë votën e vet për Alibeajn? Për mua është shumë i rrudhur. Sepse ai elektorat i zhgënjyer nga Berisha, një pjesë kanë emigruar, një pjesë nuk duan të flitet më për politikë, një pjesë tjetër nuk është aktiv në politikë që të elaborojë me hollësi… me duket çudi, por çdo gjë mund të ndodhë”, u shpreh ai.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.