Prostitucion në banesa me qera, pranga brazilianeve në Durrës
Policia e Durrësit ka goditur një rast të ushtrimit të prostitucionit në qytet, duke arrestuar në flagrancë dy shtetase nga Brazili që dyshohet se kishin përshtatur dy ambiente të marra me qira për këtë aktivitet të paligjshëm.
Në pranga kanë rënë shtetaset me iniciale N. P., 26 vjeçe dhe M. B., 39 vjeçe, të lindura dhe banuese në Brazil. Sipas hetimeve paraprake, ato dyshohen për veprat penale “Prostitucioni”, “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, si dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”.
Gjatë operacionit policor, autoritetet proceduan penalisht në gjendje të lirë edhe një 22-vjeçar nga Durrësi për veprën penale “Prostitucioni”. Po ashtu u procedua në gjendje të lirë edhe pronari i ambienteve të dhëna me qira, shtetasi me iniciale F. T., 30 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për akuzën “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”.
Nga hetimet rezulton se dy shtetaset e huaja kishin marrë me qira dy ambiente në rrugën “Dalip Peza”, në lagjen nr. 17 të qytetit, të cilat dyshohet se i kishin organizuar dhe përshtatur për zhvillimin e aktivitetit të prostitucionit.
Gjatë ndërhyrjes së policisë, njëra prej grave refuzoi të hapte derën e ambientit ku ndodhej. Për këtë arsye u kërkua ndërhyrja e shërbimit zjarrfikës, i cili bëri të mundur hapjen e derës dhe vijimin e kontrollit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy pasaporta të shtetaseve të huaja, një shumë parash, tetë telefona celularë, një pajisje DVR, disa karta telefonike, dy blloqe me shënime, si dhe dy sasi të vogla lënde narkotike të dyshuara si kanabis.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Durrës, e cila do të vijojë veprimet e mëtejshme hetimore.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



