Protesta e PD, Gjykata jep vendimin për 19 protestuesit e arrestuar
Gjykata e Tiranës ka vendosur këtë të martë masën e sigurimit personal “detyrim paraqitje” për 19 persona të ndaluar pas protestës së 24 janarit të organizuar nga Partia Demokratike në kryeqytet.
Sipas hetimeve, ata dyshohen se kanë qenë të përfshirë në hedhjen e molotovëve dhe fishekzjarreve në drejtim të Kryeministrisë, si edhe në aktet e vandalizmit të ndodhura më pas pranë godinës së Kuvendit. Gjatë përplasjes, të paktën 11 punonjës policie mbetën të plagosur nga gurët e hedhur gjatë protestës.
Prokuroria e Tiranës kishte kërkuar masa më të rënda sigurie: arrest me burg për pesë persona, arrest shtëpie për pesë të tjerë dhe detyrim paraqitje për nëntë protestues. Megjithatë, gjykata vendosi masën më të lehtë për të gjithë të proceduarit.
Ndërkohë, gjatë kohës që trupa gjykuese ishte tërhequr për të marrë vendimin, një incident u regjistrua në ambientet e brendshme të Gjykatës Penale. Avokatët mbrojtës të të ndaluarve pretenduan se janë provokuar nga një person i pranishëm në holl, çka ka krijuar tension dhe përplasje verbale.
Ngjarja vjen në një klimë të tensionuar politike, ndërsa hetimet për protestën e 24 janarit vijojnë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



