Protesta kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision

Mbi 10 mijë protestuan në Malmo të Suedisë kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Festivalin Europian të Këngës. Përfaqësuesja e Izraelit Eden Golan u kualifikua me këngën “Hurricane” për në finale.

Nga Deustche Welle

Barrikada metalike dhe blloqe të mëdha betoni janë vendosur përreth Arenës së Malmos, qytetit suedez që mikpret  Festivalin Europian të Këngës – Eurovision 2024. Policia vendase mbështetet në këtë aksion nga kolegët danezë dhe norvegjezë.

Përfaqësuesja e Izraelit, Eden Golan, e cila performoi në skenë me këngën e saj “Hurricane” (Uragani) u kualifikua për finalen e Eurovisionit.

[Ndërkohë që në Arenën e Malmos këngëtarët konkurrojnë me njëri-tjetrin më shumë se 10 mijë vetë, mes tyre edhe aktivistja në mbrojtje të klimës Greta Thunberg, u tubuan kundër pjesëmarrjes së Izraelit në Eurovision.

Flakadanë me ngjyrat e flamurit të Palestinës

Edhe pse policia deklaroi se marshimi përmes qytetit ishte “i qetë”, demonstruesit ndezën flakadanë me ngjyrat e flamurit të Palestinës gjatë tubimit të zhurmshëm, ku pjesëmarrësit përsëritën pa pushim sloganin “Nga lumi e deri në det, Palestina do të jetë e lirë” si dhe “Izraeli, shtet terrorist”, duke bërë thirrje për armëpushim në Gaza.

Organizatorët e protestës thanë se do të marshojnë sërish kundër pjesëmarrjes së Izraelit para finales të së shtunës.

Festivali pretendon se është apolitik

Më herët, qeveria izraelite i paralajmëroi qytetarët e saj duke shprehur një “shqetësim real” se ata mund të viheshin nën shenjestër dhe se Eden Golan mund të refuzohej nga audienca gjatë performancës së saj.

Bashkimi Europian i Radiotelevizioneve Publike (EBU), i cili organizon konkursin mbarëkontinental të pop-it, vendosi të lejojë Izraelin në garë, pavarësisht muajsh të tërë kundërshtimesh ndaj pjesëmarrjes së tij, në pikun e luftës Izrael-Hamas.

Gjithsesi këngëtarja Golan u detyrua të ndryshojë titullin dhe vargjet e këngës, para se të lejohej të garonte. Fillimisht kënga titullohej “October Rain”, (Shiu i tetorit), duke iu referuar sulmit të 7 tetorit të Hamasit ndaj Izraelit, sulm i cili ndezi luftën aktuale.

EBU pretendon se Eurovision është apolitik, por kritikët risollën në vëmendje përjashtimin e Rusisë nga gara gjatë pushtimit të Ukrainës në vitin 2022. Po ashtu një vit më parë edhe Bjellorusia u përjashtua për shkak të historikut të saj me të drejtat e njeriut dhe lirinë e shtypit. Në garën e këtij viti ndalohet gjithashtu shfaqja e flamujve palestinezë.

Publikuar nga Publik Media