E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse duhet prishur ky Teatër
OP-ED

Pse duhet prishur ky Teatër

RIGELS  LENJA rigels-lenja

Ka rreth 1 vit e gjysmë që një grup artistësh të Teatrit Kombëtar protestojnë pa pushim për mosprishjen e tij. Ashtu siç ka dhe një grup tjetër, që mbase nuk protestojnë, por reagojnë falë modernes me “Twitter” a “Facebook”.

 

 

Kjo palë e dytë pyet se çfarë na duhet një teatër që na e paskan ndërtuar pushtuesit e “tmerrshëm” italianë. Nuk është çudi, që po ky grup një ditë të thotë që edhe Apolonia s’na duhet, se na i kanë themeluar grekët. Duhet të prishim edhe Butrintin, se edhe këtë refugjatët trojanë na i ndërtuan.

Në këto vitet e fundit, të bërit show me paratë publike është kthyer nga profesion në talent. Me të ardhur në pushtet, qeveria Rama nisi një fushatë shpërthimesh me eksplozivë kundër ndërtimeve pa leje. Me një regji qendrore, me orar të përcaktuar, me transmetim live, madje edhe me debate televizive sesi do të prishej një godinë me 20 apo 30 kg tritol. Edhe dita, pikërisht fundjavë, çdokush para televizorit, a thua se ishte ndonjë kompeticion futbolli a konkurs bukurie. Pjesë e spektaklit qe edhe një pallat në Vlorë, i cili rezultonte të kishte pjesë të grupit të ndërtuesve edhe vjehrrin e kryetarit të opozitës. Megjithëse me leje, e dhënë kjo nga mëkëmbësi i atëhershëm i Kryeministrit për Vlorën. Qeveria i dha mjaftueshëm publicitet, madje dërgoi dhe rojën bregdetare që të filmonte shpërthimin. Për 10 sekondat e shpërthimit, sot shqiptarët duhet të paguajnë 14 milionë euro. Edhe Ronaldo me Mesin kurrë s’e kanë fituar për 10 sekonda shfaqje këtë shifër. Po sot, Shqipëria e ka Ronaldon dhe Mesin e saj. Ai është sa Rama, aq dhe Veliaj. Dyshja e parë ka talent futbollin, këta të dytët kanë talent shkatërrimin. Rama dhuron spektakël me 14 milionë euro, kurse kryetari i fidanishtes së Tiranës e dhuron spektaklin me 4 milionë eurot e godinës së ish-Kolonave.

Por pyetja lind, për çfarë na duhet një teatër? Shqipëria në vetvete është një teatër. Teatër kudo. Për çfarë na duhet një godinë e ndërtuar në vitet 30’ dhe që përdoret nga disa artistë për të vënë në skenë drama dhe komedi. Ky vend lundron mes dramës dhe komedisë. Ne kemi shfaqje teatrale në çdo seancë Parlamenti, në bashki dhe në opozitë. Dramë në universitet, komedi në Akademi. Jemi një vend, ku në darkë shkon të flesh si kryetar partie dhe në mëngjes zgjohesh si kryetar Akademie. Jemi një vend ku sot je i papunë, por nesër mund të bëhesh ministër.

Për çfarë na duhet një teatër kur kemi një Komision Qendror Zgjedhjesh, që akoma askush nuk e di me siguri sa shqiptarë votuan në votimet e një muaji më parë? A ka më dramë sesa kualiteti i përfaqësuesit e popullit në Parlament, ku 90% e tyre kanë lidhje me përfaqësim aq sa mund të ketë lidhje Neil Armstrong me shpikjen e bujqësisë? A nuk është një melodramë, sesi një kryetar opozite, që përgatit një listë deputetësh me parimin kujt i bie dhjeta, pa plan dhe pa nishan?

Do të prishet apo jo Teatri Kombëtar është çështja. Dhe atë që janë më aktivët, janë njerëzit që nuk kanë shkelur ndonjëherë në teatër. Teatri sot është kthyer në një përplasje midis një grupi që kërkon të mos prishet dhe një tjetri që nuk e di as vetë çfarë kërkon. Madje, këta të parët, shyqyr që janë shqiptarë, se po të mos ishin. E thjeshtë zgjidhja: një miting dhe disa thirrje “send them back”. E ja ku e mbaruam edhe këtë punë.

Në këto vite demokraci, vendi ka parë degradim, shkatërrim dhe dëmtim të shumë objekteve kulturore. Shumë prej tyre, zyrtarisht pjesë e trashëgimisë kulturore botërore. Por Teatri ka një domethënie tjetër. Është prishje me ligj special. I ka rezistuar 1 vit e gjysmë prishjes. Dhe për herë të parë, shtetit i duhet të përdorë forca speciale për të trembur artistët. E pikërisht forca speciale kundër artistëve e regjisorëve, a thua se këta ishin trafikantë.

Çuditërisht, këtë herë kishte zgjedhur çunat joproblematikë të sigurisë private si dhunues. A nuk ishin më duket po këta roje sigurie që grabiteshin me plan dhe pa plan, në rrugë apo në aeroport, nga ata çunat problematikë të Rinasit? A nuk janë po këta roje sigurie, që sa herë shkon në një bankë, ato gocat me plotë sharmë e delikatesë, i përdorin si punëtorë ngarkim-shkarkimi për letrat e printerëve? Dhe këta të sigurisë private, shyqyr që gjetën dikë më të “dobët se vetja” që të shfaqin edhe këta më në fund burrërinë e tyre të nëpërkëmbur rëndë.

Shoqëria jonë ka krijuar një fizionomi, ne nuk na pëlqen e vjetra, nuk na duhet, na kujton të shkuarën, e shkuara s’na duhet, ajo ka përfunduar si proces. Ah, të ktheheshim edhe një herë pas në kohë, do ta kishim prishur këtë çiban Teatër. Madje, as e ardhmja s’ka pse të na interesojë, pret puna. Vetëm e tashmja ka rëndësi. Kush është i varfër, është i panevojshëm, kush nuk vjedh, është thjesht i paaftë, kush dhunon, ai është model. Jemi kthyer në një shoqëri, ku të ndershmin e shohim si problem dhe abuzuesin si idhull. Ky Teatër është kthyer nga një vend kulture në një formë rezistence. Rezistence jo për kapriço e për plane ogurzezë. Po rezistencë për t’u lënë brezave edhe një çiban të fundit për të përfaqësuar historinë, në një kryeqytet ku historia dhe kultura po avullon. Kemi dy zgjidhje para: kë të prishim, teatrin real apo teatrin fals? Atë që është kombëtar apo atë që është antikombëtar.

*Studiues, pranë Universitetit Ludwig Maximilian, Mynih.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.