Pse Erion Veliaj nuk jep dorëheqjen?
Landi Çela
Rasti i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, nuk është thjesht një çështje hetimi, por një pasqyrë e gjendjes së demokracisë në Shqipëri. Akuzat për korrupsion dhe hetimet që kanë përfshirë bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, dhe vëllain, Arbër Veliaj, kanë vënë institucionin e Bashkisë së Tiranës në një pozitë të rënduar me shumë se skandali i Inceneratorit apo “5D”. Në një demokraci funksionale, një zyrtar i lartë i dyshuar për korrupsion do të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë për të ruajtur dinjitetin e institucionit.
Por, siç duket, në Shqipëri, standardet e demokracisë janë të varura nga kalkulimet personale dhe politike. Veliaj, në vend që të mbrojë institucionin dhe qytetarët, ka zgjedhur të mbrohet pas karriges së tij, duke i dhënë përparësi interesit personal ndaj asaj që përfaqëson një demokraci të shëndoshë. Ndoshta Rama po mban zvarrë sepse jemi para zgjedhjeve dhe Erjoni ka shpërndarë shumë interesa dhe favore qindramilionëshe anëekënd Tiranës dhe i duhet për vota.
Mosdorëheqja dhe dëmi institucional
Bashkia e Tiranës nuk është thjesht një ndërtesë, por një simbol i qeverisjes lokale dhe besimit të qytetarëve. Akuzat e shumta, përfshirë shumat e mëdha të parave të dyshuara dhe heqja e telefonave në kuadër të hetimeve, kanë krijuar një imazh publik tejet të rënduar. SPAK mund të jetë duke hetuar individë, por në sytë e qytetarëve, është vetë bashkia që po humbet kredibilitetin.
Në vend që të ofrojë një zgjidhje dinjitoze, Veliaj e ka përdorur situatën për të shpërndarë përgjegjësinë dhe për të hedhur baltë mbi procesin. Të gjithë flasin për paratë e dyshuara – 80 mijë, 200 mijë, apo edhe 240 mijë euro – por askush nuk flet për atë që Veliaj duhet të bëjë si një lider: të mbrojë institucionin për të cilin është përgjegjës.
Frika nga dorëheqja
Nëse Veliaj do të dorëhiqej, ai do të kishte pasur mundësinë të përballej me hetimet si një qytetar i lirë, duke ruajtur mundësinë për një rikthim politik. Një lëvizje e tillë do të kishte treguar kurajë dhe dinjitet, dy cilësi që mungojnë dukshëm tek ai. Në vend të kësaj, ai zgjedh të qëndrojë i lidhur pas karriges, duke dëshmuar jo vetëm mungesën e një vizioni të pastër demokratik, por edhe frikën që një dorëheqje do të shënonte fundin e tij politik.
Një mësim nga demokracitë e tjera
Në shumë vende perëndimore, dorëheqja në raste të tilla është një akt përgjegjshmërie, jo një dobësi. Ajo u jep mundësi institucioneve të vazhdojnë të funksionojnë pa u përfshirë në baltën e akuzave dhe dyshimeve. Në Shqipëri, kjo praktikë është ende e huaj. Kjo nuk ndodh vetëm për shkak të politikanëve si Veliaj, por edhe për shkak të një kulture politike ku karrigia shihet si pronë personale, e jo si përgjegjësi publike.
Përfundim
Dorëheqja e Erion Veliajt do të ishte një hap drejt ruajtjes së integritetit të Bashkisë së Tiranës dhe një shembull i rëndësishëm për demokracinë shqiptare. Por, për sa kohë që liderët tanë shohin institucionet si zgjatime të vetvetes, dhe jo si pasuri publike, demokracia do të mbetet një ëndërr e parealizuar. Në fund, nuk është vetëm Veliaj që dështon; është një sistem i tërë që lejon dhe toleron këtë sjellje.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



