E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse gazetari  Qyno nuk mori ‘leje’ për botim në SPAK?!
Lajme

Pse gazetari Qyno nuk mori ‘leje’ për botim në SPAK?!

Naim Noka

Procesi gjyqësor i gazetarit Elton Qyno në Gjykatën Kushtetuese nuk është thjesht një përballje mes një gazetari dhe një institucioni si SPAK. Është një moment i rëndësishëm reflektimi mbi lirinë e shtypit, të drejtën për të informuar publikun dhe kufijtë që duhet të respektohen nga pushteti, sado i “specializuar” të jetë ai.

Deklaratat e bëra nga përfaqësuesit e SPAK gjatë seancës gjyqësore, përfaqësuar nga prokurori Bledar Maksuti, përbëjnë një sinjal alarmi për çdo gazetar të kronikës, por edhe për vetë qytetarët që besojnë në një shoqëri të hapur dhe transparente. Pretendimi se gazetarët marrin leje nga SPAK për të publikuar informacione me natyrë sekrete, edhe pse pa asnjë bazë ligjore, është një konstatim i rrezikshëm që i jep SPAK-ut një rol që nuk i takon në një shtet demokratik – atë të redaktorit të madh të shtypit.

Kjo deklaratë shpalos një filozofi të rrezikshme: kontrollin e informacionit përmes kanaleve institucionale dhe miratimit selektiv të atyre që lejohen të publikohen. Nëse kjo logjikë do të pranohej nga Gjykata Kushtetuese, do të përbënte një hap prapa jo vetëm për lirinë e medias, por për vetë demokracinë shqiptare.

Rasti i Elton Qynos është një sintezë e këtij përballje. Ai nuk kërkoi leje për të informuar publikun. Ai nuk u ul të negocionte me prokurorinë se çfarë duhet dhe nuk duhet të dihet nga publiku. Ai bëri detyrën e tij – raportimin e një të vërtete. Dhe për këtë, u përball me sekuestrim telefoni, hetime dhe forma që lënë vend për të dyshuar se kemi të bëjmë më shumë me hakmarrje institucionale sesa me ndjekje të ligjshme.

Kushtetuta shqiptare, si dhe praktika më e mirë ndërkombëtare, mbrojnë gazetarin si figurë të domosdoshme për demokracinë. Nuk është gazetari ai që duhet të filtrojë lajmet për t’i bërë të “pranueshme” për autoritetet. Është shteti ai që duhet të pranojë se mbikëqyret nga media, edhe kur kjo media është e padurueshme, kritike apo e pakontrollueshme.

Në këtë kuptim, Gjykata Kushtetuese nuk ka vetëm një çështje individuale për të gjykuar – ka një mision për të mbrojtur një normë themelore të shoqërisë sonë: lirinë për të ditur, për të pyetur dhe për të raportuar. Rrëzimi i kërkesës së SPAK ndaj gazetarit Elton Qyno nuk është mbështetje për një individ, por mbrojtje për një parim. Dhe një shoqëri që mbron parimet është më e sigurt se një që ndjek armiq imagjinarë në rreshtat e gazetave.

Ndiqni videon e plotë të seancës në Kushtetuese

 

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.