Pse jam dakord me Mero Bazen?!

Elvi FUNDO

Gazetari i pushtetit, Mero Baze, dje, në editorialin e tij te gazeta “Tema”, pas një analize të shkurtër, ka kërkuar dorëheqjen e ministres Delina Ibrahimaj për rastin e një ngjarjeje banale, të ndodhur midis bashkëshortit të saj dhe një ish-zyrtari të ATK-së, i cili ka qenë vartës i zonjës Ibrahimaj.

Ky është rasti për të qenë pro Mero Bazes, është rasti për të qenë dakord me të, totalisht, që nga analiza që ai i bën rastit, por edhe nga standardi që kërkon, duke theksuar se zonja Ibrahimaj, direkt pas momentit të konfliktit, duhet ta kishte raportuar atë në qeveri dhe duhet të sillej si ministre. Duhet të shkarkonte zyrtarin që kishte në varësi dhe të merrte përgjegjësinë për aktin e burrit të saj, pra, të largohej nga detyra.

Ky do të ishte një standard i ri për qeverinë Rama, i cili nuk e ka standardin e dorëheqjes, kur plasin të tilla skandale, kur plasin të tilla banalitete, ku burrat e ministreve rrihen rrugëve, pasi rasti i zonjës Ibrahimaj nuk është i pari. Por, ai u soll si rast, pikërisht tani, gjatë kohës së plasjes së skandalit të dosjes “5D”, inceneratorëve që vazhdojnë, hetimeve të SPAK-ut dhe akuzave që janë drejtuar ndaj kryebashkiakut Veliaj.

Po, zonja Delina Ibrahimaj duhet të jepte dorëheqjen dhe ende është në kohë për të bërë një akt qytetar, për të treguar se nuk ka të njëjtin standard, si shumica e ministrave të “Rilindjes”. Duhet të shkojë tek Edi Rama dhe t’i dorëzojë dorëheqjen.

Por, përpara largimit dhe dorëheqjes së Delina Ibrahimajt, Mero Baze duhet të kërkojë dorëheqjen e Erion Veliajt sepse Delina Ibrahimajt i kërkohet dorëheqja se ka ndodhur një sherr, një konflikt i bashkëshortit, kurse Erion Veliaj është kapur duke vjedhur. Ka vjedhur xhepat e qytetarëve të Tiranës, xhepat e shqiptarëve.

Pse jam dakord me Mero Bazen?!

Delina Ibrahimaj

Rasti i zonjës Ibrahimaj është një rast banal, për të cilin na thuhet sipas Mero Bazes, se shteti është i plagosur, administrata është e plagosur, kurse në rastin e Erion Veliajt, shteti është i vjedhur, administrata është e vjedhur. Drejtorët hajdutë të Erion Veliajt, Mariglen Qato, Taulant Tusha, Redi Molla e të tjerë nën hetim, Ermal Kapllanaj i Policisë Bashkiake, drejtoresha që jepnin password-et e Prokurimit Publik, janë hajdutët e Erion Veliajt në bashki që kanë vjedhur qytetarët të paktën 22 milionë euro me një skemë monstruoze. 

Mero Baze duhet të kërkojë dorëheqjen e Erion Veliajt përpara Delina Ibrahimajt që të këtë moralin për t’i thënë asaj zonjës “ik”.Duhet t’i kishte kërkuar të ikte edhe Erion Veliajt, por a ka fuqi ta bëjë Mero këtë, të dalë mbi drejtorët hajdutë, të dalë mbi lali Erin? E vështirë të ndodhë, rreth pushtetit nuk e bën dot kurrë, pavarësisht se çfarë ky pushtet u bën qytetarëve.

Erion Veliaj është kapur së bashku me drejtorët e tij duke vjedhur qytetarët e Tiranës dhe afera “5D” është edhe më e madhe, ka brenda skandale edhe të padëgjuara më parë, të cilat Mero Baze i di mirë, por nuk kërkon dorëheqjen e Erion Veliajt, por dorëheqjen e një ministreje pa portofol për një sherr që ka bërë burri i saj para 5 muajsh.

Lajmin e së cilës e ka shpërndarë pikërisht Erion Veliaj dhe zyrat e tij dhe mediat e tij për të tërhequr vëmendje nga çështja e dherave dhe këtu patjetër kërkohet dorëheqja e ministres nga Mero për t’i vënë kapakun lajmit që kërkohet si një zhurmë më e madhe për të shuar zhurmën e aferës “5D”.

Pra, mirë që Mero Baze po kërkon dorëheqjen e Ibrahimajt, po këtij tjetrit (Veliajt) kur do t’ia kërkosh dorëheqjen se është kapur me duar në xhepat e qytetarëve./cna

Publikuar nga Publik Media