Pse jemi katandisur Republika e Ambasadorëve?
Naim Noka
Endacakët e rritur shkretetirave, nuk hyjnë në apartament edhe sikur t’ua falësh atë. Kështu dhe një popull i shtypur historikisht, e ka të vështirë ta banojë lirinë. Më ngacmoi Kreshnik Osmani dhe po vras mendjen pse jemi popull kaq inferior.
Kemi 27 vite që dëgjojmë ambasadorët. Amerikanët i kemi pak më me kimet, ndërsa ambasadorëve europianë i “shqiptarizojmë” më shpejt … Nis dita dhe media me shumicë në këtë vend të vogël, raporton me detaje se çfarë bën njëri apo tjetri ambasador. A jemi Republika e Ambasadorëve? Pa pikën e dyshimit jemi tashmë edhe qeveria e ambasadorëve, opozita e ambasadorëve, media e ambadorëve, shoqëria civile e ambasadorëve, parlamenti i ambasadorëve e kështu me radhë mund të rendisim vendin tonë si Shqipëria e Ambasadorëve.
Pse jemi kaq inferiorë në çdo hap dhe qelizë të shoqërisë. Qoftë edhe intelektualët, apo personalitetet publike në vendin tonë janë “intelektualët” e ambasadorëve. U bënë vite që klasa jonë politike është e korruptuar deri në palcë dhe tani e pazonja për të dalë e për të thyer lëvozhgën për të shpëtuar nga kjo katastrofë ku e kanë katandisur vendin dhe popullin.
Shpëtimin momental kjo Klasë e pjellë nga vota e vjedhur, e gjen nga qëndrimi as ashtu, as kështu i ambasadorëve. Shto dhe korruptimin e tyre, e kemi arritur në pikën që qeveria e ambasadorëve drejton dhe merr vendime , “lolot” dhe populli ynë zbaton direktivat e Donald Lu dhe Romana Vllahutin. Ndërsa gjermanët,hollandezët, francezët sipas motit dhe humorit kanë një program dhe janë më pak aktivë nëpër lajme. Tani edhe shqiptari më i palexuar të thotë: po s’kanë gjë në dorë as Edi, as Luli e as Iliri. Ajo kokëkuqja dhe ai “kinezi” e dinë si do të shkojnë punët këtu tek ne.
Jemi bërë qesharakë, pa sovranitet, me një tufë politikanësh që po ja shplajnë çdo orë e më parë trurin këtyre fakirëve që kanë ngelur këtu pa ja mbathur akoma. 28 mijë azilantë të regjistruar për vitin 2017, riatdhesim çdo ditë në Rinas. Xhungël hashashi,gropë septike përmbytjesh dhe regjim ambasadorësh. Ditë dimri …. Ndoshta nuk zgjat shumë agonia e këtij populli në zgrip… Ndoshta do të orientohet drejt lirisë apo do të mbetet peng i kësaj klase politike të korruptuar dhe regjimit të ambasadorëve .E sigurtë është që sot ambasdori Lu do të pijë një gotë verë, do të bëjë dush dhe do ta zërë gjumi rehat. Ka bërë një postim sot për rininë e molepsur të këtij vendi…. U sigurua që sot është e shtunë dhe nesër vjen e diela. Të hënën vijon vettingu dhe ka shumë punë për të bërë… Do zgjidhet një prokuror kalimtar… Nuk është lehtë të qeverisësh “popullin” e ambasadorëve. A nuk vetëquhemi Popull trim e liridashës ?! Si ishte ajo thënia e Kreshnikut ?!
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



