E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Pse po vonohen bursat e studentëve?!
Lajme

Pse po vonohen bursat e studentëve?!

“Jetesa në pritje të bursës” – Studentët pa mbështetje, shteti hesht

Publik.al | 26 mars 2025

Ndërkohë që qeveria premton mbështetje për të rinjtë dhe arsim cilësor, realiteti për studentët shqiptarë mbetet i zymtë. Një numër gjithnjë e më i madh studentësh denoncojnë për Publik.al vonesa të papranueshme në shpërndarjen e bursave mujore – ndihma e vetme ekonomike që shumë prej tyre kanë për të përballuar jetesën dhe studimet.

“Akoma me sytë nga aplikacioni”

Një studente e Fakultetit të Shkencave Mjekësore Teknike në Universitetin e Elbasanit, ka ngritur shqetësimin në redaksinë tonë:

“Përshëndetje! Keni hedhur postime për vonesën e bursave të studentëve dhe doja t’ju vija në dijeni se vazhdon i njëjti problem. Akoma mbetemi me sytë nga aplikacioni për të parë nëse janë depozituar apo jo. Më parë depozitoheshin në fillim të muajit, ndërsa tani, shkurti dhe marsi nuk janë paguar dhe duket sikur as nuk kanë ndërmend t’i japin…”

Nuk është një rast i izoluar. Vetëm pak ditë më parë, një tjetër studente nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare në Tiranë na informoi se nuk ka marrë asnjë bursë që nga tetori 2024, pavarësisht se ka dorëzuar të gjitha dokumentet në kohë.

Bursa që nuk vjen, por nevoja kanë plot studentët

Për shumë studentë, këto bursa – që shkojnë nga 10 mijë deri në 13 mijë lekë në muaj – janë jetike. Ata paguajnë me to qiranë, transportin, ushqimin apo edhe materialet e studimit. Në mungesë të tyre, situata ekonomike bëhet e papërballueshme dhe shumë rrezikojnë të ndërpresin studimet.

Edhe më shqetësuese është mungesa totale e informacionit dhe transparencës nga institucionet. Asnjë njoftim publik, asnjë komunikim zyrtar nga Universitetet, Ministria e Arsimit apo Ministria e Financave. Heshtje dhe shpërfillje ndaj një shtrese të ndjeshme që jeton me minimumin.

Vitin e kaluar bursat kalonin në kohë – çfarë po ndodh tani?

Studentët theksojnë se gjatë vitit të kaluar pagesat ishin të rregullta dhe të parashikueshme. Kjo përkeqësim i papritur tregon për mungesë menaxhimi, probleme në administratë ose mosprioritizim të nevojave reale të studentëve. Pyetja që shtrojnë të gjithë është: A është kjo një vonesë e rastësishme, apo një sinjal i mungesës së fondeve për arsimin?

Thirrje për veprim urgjent

Studentët kërkojnë zgjidhje të menjëhershme dhe transparencë për situatën. Përballë krizës ekonomike, inflacionit dhe kostove gjithnjë në rritje, vonesa e bursave është një goditje e rëndë për të rinjtë që përpiqen të ndërtojnë të ardhmen në këtë vend.

Publik.al i bën thirrje Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve përgjegjëse që të sqarojnë publikisht arsyet e vonesave dhe të marrin masa të menjëhershme për likuidimin e pagesave të mbetura.

Sepse nuk mund të kërkosh arsim cilësor dhe të flasësh për mbështetje rinore, ndërkohë që i lë studentët të mbijetojnë në pritje të një burse që nuk vjen kurrë.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.