Putin po përdor në front armët e tij kimike, Evropa ka nevojë urgjente për maska të posaçme

Lajmi se Britania synon që të rrisë shpenzimet e saj në mbrojtje në këtë periudhë të një rreziku të paprecedentë, është i mirëpritur dhe i nevojshëm. Sepse kjo i sinjalizon partnerëve tanë perëndimorë, që ne jemi ende një lojtar kryesor në mbrojtjen e Evropës.

Dhe kjo në një kohë kur kombet e tjera – përfshirë Francën dhe Gjermania – nuk kanë treguar një udhëheqje praktike apo edhe morale, që shumëkush e shpresonte kur jemi në mesin e luftës më të përgjakshme që ka parë kontinenti që nga vitet 1940.

Megjithatë, unë jam ende i shqetësuar në lidhje me këtë çështje. Rritja e shpenzimeve në 2.5 për qind të PBB-së deri në vitin 2030, dërgon vërtet një mesazh të rëndësishëm. Por a mjafton duke pasur parasysh seriozitetin e rrezikut? 2030-a është 6 vjet larg, teksa rusëve iu deshën vetëm 2 vite që të mbjellin kaos dhe vuajtje të tmerrshme në kontinentin evropian.

Pastaj një problem shtesë, është vetë natyra e makinerisë ruse të luftës, e cila duket se po merr një karakter gjithnjë e më të tmerrshëm sa më gjatë që vazhdon kjo luftë. Siç u zbulua së fundmi në Telegraf, lufta kimike po përdoret tani në mënyrë aktive nga forcat ruse për të sulmuar pozicionet mbrojtëse të Ukrainës.

Sigurisht kjo përbën një krim tjetër lufte. Gjërat janë aq serioze, sa që qeveria e Ukrainës i ka dërguar një raport Kombeve të Bashkuara dhe Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCË) në Hagë, duke përshkruar në detaje praninë e kimikateve toksike tek trupat e saj.

Sipas tyre, kjo gjë ka ndodhur mbi 1000 herë gjatë luftës, me një intensitet dhe frekuencë në rritje gjatë javëve të fundit. Në marrëzinë e këtyre sulmeve, ka një metodë që sugjeron se këto nuk janë veprime të komandantëve individualë të rinj rusë, por një operacion i mirë-koordinuar.

Ne e dimë nga doktrina ruse e luftës kimike, se përdorimi i tyre kontrollohet nga niveli më i lartë drejtues i ushtrisë. Doktrina që zbatojnë trupat ruse është sistematike:në fillim gjuajtje me armë konvencionale për t’i detyruar trupat ukrainase të strehohen thellë në sistemin e llogoreve, dhe pastaj lëshimi i gazit CS apo i armëve të tjera kimike për t’i kapur në kurth trupat armike në fund të llogoreve të tyre.

Po ashtu, synohet të goditen me armë konvencionale ata që përpiqen të shmangnin gazin. Faza e fundit, përfshin gjithashtu një përparim përmes mjeteve të blinduara për të marrë nën kontroll llogoret e kundërshtarit, gjë që e kemi parë së fundmi pranë Avdiivka.

Sipas intervistave me shumë ushtarë ukrainas, sulmet me armë kimike ruse kryhen zakonisht nga dronë që hedhin granata direkt në pozicionet luftarake të Ukrainës. Sulmet synojnë t’i detyruar mbrojtësit ukrainas që të largohen nga pozicionet e tyre, fazë pas së cilës ata do të sulmohen nga më shumë dronë që hedhin drejt tyre municione konvencionale.

Kjo është një kopje e sulmeve të ngjashme të kryera në Siri, edhe pse në një formë më moderne. E kam parë me sytë e mi se sa shkatërruese mund të jenë kimikatet toksike për një popullatë të pambrojtur. Siria dhe Rusia, e sulmuan qytetin e Alepos për 4 vjet me radhë në mënyrë konvencionale por pa ndonjë sukses.

Megjithatë pas 17 ditë hedhje bombash-fuçi të mbushura me gazin klorium në dhjetor 2016, rrethimi u thye dhe 400.000 njerëz iu dorëzuan tiranisë së dyfishtë të Assad dhe Putin. Gazi, më i rëndë se ajri, depërtoi nën tokë, duke vrarë njerëzit atje ose duke i detyruar që të dilnin jashtë.

Në rast se kjo tingëllon sikur na kujton një epokë shumë më të tmerrshme të luftës, atëherë keni të drejtë. Shumë nga pozicionet ukrainase, janë llogore që të kujtojnë ato të Lufta e Parë Botërore. Ashtu si në atë konflikt të tmerrshëm, gazi mund të jetë shumë ndikues në fushën e betejës për të bërë të mundur zhvendosjen e pozicioneve fikse.

Tragjikisht, duket se një pjesë e arsyes pse sulmet e rusëve me gaz kanë rezultuar të efektshme, është se ne nuk e kemi përgatitur veten, dhe rrjedhimisht Ukrainën, në mënyrë e duhur për rikthimin e përdorimit të armëve të tilla. Me sa duket trupat ukrainase kanë maska ​​gazi shumë të vjetra, me cilësi të dobët të epokës sovjetike, të cilat ofrojnë pak mbrojtje.

Për këtë arsye, ne nuk duhet t’i japim përparësi vetëm investimit në armët konvencionale, sado jetike janë ato, por edhe masave parandaluese ndaj armët kimike. Dhe këtu përfshihen edhe maskat e gazit, tek të cilat duhet të investojë më shumë dhe t’u dhurojmë edhe aleatëve tanë.

Siç më tha Bob Seely, kryetar i Grupit Parlamentar të të gjitha partive për Ukrainën:“Pyetja është, a kemi maska ​​në magazinë, të cilat mund t’i dërgojmë ata që do të na ofrojnë mbrojtje?” Kur ia tregova këtë Ben Wallace, ish-Sekretarit të Mbrojtjes, ai më tha se “për dekada Britania ka prodhuar maska ​​​​gazi për shumë vende, dhe ne duhet të jemi në gjendje të përballojmë këtë sfidë me një donacion të konsiderueshëm nga fabrikat tona”.

Nuk mund të jetë përtej aftësive të Britanisë për të prodhuar maska ​​​​të cilësisë së lartë për ata që luftojnë në vijën e frontit në Ukrainë. Dhe për ne nuk mund të jetë e vështirë që ta njohim rrezikun që vjen nga një Rusi gjithnjë e më i dhunshme, dhe t’i përshtatim strategjitë tona në përputhje me rrethanat. Në këtë drejtim, druaj se nuk do të mjaftojnë 2.5 për qind shpenzime të PBB-së për mbrojtjen.

Shënim:Koloneli në pension Hamish de Bretton-Gordon, është ish-komandant i Forcave Speciale në Britaninë e Madhe dhe NATO. p “Daily Telegraph

Publikuar nga Publik Media