Qëndrimi “historik” i Gjylametit dhe një mesazh nga Dritëroi
LULJETA PROGNI
Një kat poshtë zyrës së Kryeministrit u mblodhën sërish sot studentët në ditën e 13 të protestës për të kërkuar plotësimin e tetë kërkesave të tyre. Prej disa ditësh, Rama i ka ftuar për dialog në zyrën e tij, ose në studio televizive të caktuara nga vetë ai. Ndërkohë, Kryeministri vazhdon ta përsërisë që është gati t’i plotësojë tetë kërkesat e tyre, por nuk kuptohet çfarë pret, nëse ai është vërtetë gati t’i plotësojë, ashtu siç thotë. Që Kryeministri është gati t’i plotësojë kërkesat, e pohoi edhe deputetja e PS-së Blerina Gjylameti, e cila tha sot se studentët nuk kanë pse të hyjnë në grevë urie “për sa kohë që kërkesat po plotësohen dhe Kryeministri është i gatshëm për t’i plotësuar”. Ajo shkon më tej në qëndrimin e saj, e bindur tek aftësitë e rralla të Kryeministrit kur thotë se askush në histori (u tregua e kujdesshme kur përjashtoi kohën e Skënderbeut) nuk është sjellë si Rama.
“S’besoj se ka pasur ndonjëherë në histori një përgjigje të tillë nga një kryeministër, përsa i përket demokracisë. Studentët sot duhet të ishin pranë auditorëve për të zgjedhur përfaqësinë e tyre nga vetë ata, që më pas të uleshin me Kryeministrin”, tha sot Blerina Gjylameti në studion e “News 24”.
Ashtu si Blerina Gjylameti, edhe deputetët e tjerë socialistë mendojnë se Kryeministri Rama po mban qëndrim historik. Askush prej tyre nuk e cilëson arrogancën ndaj studentëve kur përsërit vazhdimisht “i plotësoj unë kërkesat tuaja, por hajdeni në dialog”, arrogancën me banorët e Unazës së Re, ku vazhdojnë të prishen banesat pavarësisht se milionat e tenderit nuk dihen se ku shkojnë. E megjithatë në PS ka unanimitet të plotë, sepse për të gjithë, rëndësi ka si mendon Kryeministri, ndërsa ajo çka mund të bëjnë, është të recitojnë bukur nëpër studio.
Në fakt, nuk ka qenë gjithmonë kështu, madje as në ditët e para të pluralizmit, atëherë kur termi “demokraci e brendshme” nuk njihej ende në PS, madje kur kjo parti ishte ende PPSH. Në vitin 1991, deputetët e PPSH-së i kundërviheshin Kryeministrit të tyre për arrogancën që tregonte në raport me protestuesit, edhe pse vetëm pak muaj pas shpërndarjes së Byrosë Politike, zëvendësuar me intelektualë, shumica e të cilëve nuk e kishin të njollosur imazhin me të shkuarën komuniste.
Ishte koha kur në Shqipëri po zhvilloheshin protestat e para pas pluralizmit me kërkesa ekonomike dhe shoqërore, pas dhjetorit ‘90 kur studentët rrëzuan diktaturën. Protesta e minatorëve të Valiasit mbahet mend si protesta më e rëndësishme, që ndikoi edhe në zhvillimet politike të kohës. Pavarësisht arrogancës e përpjekjeve për ta injoruar, sepse për PPSH-në ishte vështirë të pranohej që një grup i madh njerëzish ishte ngritur kundër tyre, në radhët e PPSH-së së vitit 1991, kishte deputetë që mendonin ndryshe.
Në pranverën e vitit 1991, Kryeministër i Shqipërisë ishte Fatos Nano, i cili drejtonte qeverinë që sapo ishte formuar pas zgjedhjeve të para pluraliste. Ndërkohë, Partia Demokratike kishte pak muaj që ishte themeluar dhe kishte arritur të fitonte kryesisht në zonat urbane të Shqipërisë.
Vendi ishte përfshirë në protesta masive, por ajo e Valiasit ishte më problematikja, për shkak se minatorët kishin hyrë në grevë urie. Në një prej seancave parlamentare të majit, Kryeministri Nano ishte thirrur në Parlament për të raportuar për situatën lidhur me protestën e minatorëve të Valiasit. Një prej deputetëve të PPSH-së, mjaft aktiv asokohe në debate parlamentare, Dritëro Agolli, i bëri një thirrje të pazakontë Kryeministrit Nano që të vizitonte minatorët në grevë urie. Ai e krahasonte situatën me minierën e Trepçës në Kosovë, atje ku pas grevës së minatorëve kishte shkuar edhe Milosheviçi, ndërsa Kryeministri shqiptar nuk po pranonte të përballej me një grevë të bashkëkombësve.
“Dritëro Agolli – Unë isha dje te minatorët. Ata, ç’është e vërteta m’u ankuan për një gjë: duhet të vinin këtu edhe personalitete të tjera të mëdha. Unë jam dakord me ta. Për shembull, aty duhej të vinte Kryeministri Fatos Nano. Në minierën e Trepçes, kur minatorët bënë grevë urie, atje vajti vetë Stipe Shuvari, madje edhe Milosheviçi, njëri kroat, tjetri serb. Kurse këtu bëjnë grevë urie shqiptarët dhe nuk vete shqiptari te shqiptarët”, shprehej Dritëro Agolli në seancën parlamentare të 30 majit të vitit 1991.
Një deputet i PPSH-së propozoi në atë seancë që të ndërpriteshin punimet e Kuvendit dhe deputetët të angazhoheshin për të ndalur protestat masive që kishin pushtuar vendin. Por ky propozim u kundërshtua menjëherë nga Dritëro Agolli. “Unë nuk jam dakord që të bëhet kjo. Nuk është detyrë e Kuvendit të lëshojë thirrje për ndalimin e grevave. Kuvendi është përfaqësues i popullit, atij populli që ka kërkesa, që ka halle të pazgjidhura, që e detyrojnë të bëjë grevë. Nëse ne do të bëjmë thirrje për ndalimin e grevës, nuk do të kemi fytyrë t’i dalim para popullit? Ne duhet të detyrojmë Qeverinë të marrë masa për të mos ardhur puna deri të grevat. Kuvendi nuk është repart zjarrfikësish për të mbrojtur nga zjarri godinën e Qeverisë. Këtë godinë Kuvendi e ndërtoi, tani ajo të marrë masa që të mos digjet. Deputetët janë ustallarë, që nuk e njohin profesionin e zjarrfikësit. Punën me grevistët le ta zgjidhë Presidenti, Qeveria, përfaqësuesit e partive politike dhe të sindikatave; prandaj unë nuk jam fare dakord me këtë mendim, që të bëhet një thirrje për ndalimin e grevës, thirrje që e shoh dritëshkurtër në ecurinë e së kaluarës, kur deputetin e bënin një shërbyes apo një hyzmeqar të përulur para qeverisë etj.”, tha Agolli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



