Qeveria paguan 300 milionë lekë për PPP-në që do “luftojë” korrupsionin e saj
Kur kryeministri Edi Rama me bujë shpalli një tjetër partneritet publik-privat (PPP), këtë herë me një kompani të huaj si “Boston Consulting Group” për të luftuar korrupsionin, ishte e qartë se kemi të bëjmë me një tjetër shembull të skemave të dyshimta që mbulojnë korrupsionin me pretekstin e luftës ndaj tij. Nën firmën e një konsulence të shtrenjtë dhe të panevojshme, qeveria po i dhuron miliona euro miqve të saj, ndërkohë që qytetarët shqiptarë përballen me një realitet ku korrupsioni është i institucionalizuar dhe i përhapur në çdo nivel të administratës.
Vendimi Nr. 327 i datës 25 maj 2024, ku Ministria e Drejtësisë dhe Ministria Anti-korrupsion janë autorizuar të bashkëpunojnë me një firmë ndërkombëtare për të hartuar një platformë kundër korrupsionit, tingëllon si një komedi tragjike. A ka nevojë një qeveri që ka një Ministri Anti-korrupsion, Drejtori të Task Forcës Anti-korrupsion, dhe gjithë një mori institucionesh për monitorimin e krimit ekonomik, të paguajë 300 milionë lekë një firme të huaj për të kuptuar se si të luftojë korrupsionin?
Ironia e madhe është që kjo PPP e radhës nuk është as më pak as më shumë, por vetë simboli i korrupsionit që pretendon të luftojë. Rama dhe bashkëpunëtorët e tij nuk kanë përzgjedhur këtë kompani përmes një procesi transparent dhe të drejtë konkurrimi, por e kanë caktuar atë pa ankand, duke minuar të gjitha parimet e transparencës dhe llogaridhënies. Po ashtu, vendimi i 2 tetorit 2024, i cili shton një pagesë tjetër për firmën angleze “G37 Chambers”, është një tregues i qartë i mënyrës së si shpenzohen paratë publike pa asnjë shpjegim të arsyeshëm.
Mbi të gjitha, kjo është një lojë e dyfishtë nga një qeveri që ka shpenzuar vite të tëra duke krijuar struktura dhe institucione për të luftuar korrupsionin, të cilat sot tregojnë qartazi se janë plotësisht të paafta dhe të kapura politikisht. Nëse qeveria ka ndërtuar këto institucione me pretendimin se ato do luftojnë korrupsionin, pse tani kërkon ndihmë të jashtme përmes një PPP-je të re që i kushton qytetarëve miliona euro?
Pagesat marramendëse për shërbime konsulence që nuk zgjidhin asgjë në realitet, por vetëm i japin qeverisë një fasadë për të shitur si “progres” një luftë të rremë ndaj korrupsionit, janë një turp i madh. Ajo që qytetarët kanë nevojë nuk janë “rekomandime” teorike për identifikimin e mekanizmave të korrupsionit, por veprime konkrete për të ndalur korrupsionin e përhapur brenda qeverisë. Por kjo, me sa duket, është shumë e papëlqyeshme për një qeveri që ka ngritur një sistem të tërë për të përfituar vetë nga korrupsioni që pretendon të luftojë.
PPP-të e tilla nuk janë asgjë më shumë se një mjet për të transferuar para nga arka publike në xhepat e miqve dhe klientëve të qeverisë. Kjo është një tjetër histori e trishtë e një qeverie që, në vend që të fokusohet në mirëqenien e qytetarëve të saj, shpenzon miliona euro për shërbime të dyshimta dhe të panevojshme. Shqipëria nuk ka nevojë për PPP-të e korruptuara të Ramës, por për një qeveri të ndershme që të luftojë realisht korrupsionin.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



