E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Qeveria ‘Rama’ dhe faktori ndërkombëtar
OP-ED

Qeveria ‘Rama’ dhe faktori ndërkombëtar

AGIM NESHO AGIM NESHO_1

 

 

Kryeministri Rama është një nga personazhet më jetëgjata të politikës shqiptare në periudhën e tranzicionit. Si gjithë liderët e rinj, ai erdhi si shpresë për ndryshim në një shoqëri që duhej ndryshuar dhe përparuar, por që akoma mbante psikologjinë e së shkuarës. Elokuent, me një penë të admirueshme, antikonformizmi i tij rriti entuziazmin dhe hapi rrugë për karrierë të shpejtë në Partinë Socialiste, që akoma vuante nga kompleksi i së kaluarës dhe kërkonte ndryshimin e imazhit me revolucionarë “rebelë” të kohës moderne.

Qenia në qeveri nuk pati asnjë sukses të dukshëm, por Bashkia e Tiranës i farkëtoi dhe betonoi pozitën për t’u bërë një politikan ballkanas, i sigurt dhe financiarisht, për t’u sulur me ambicie drejt pushtetit politik më të lartë.

Mjeshtër i skemave të vogla dhe mikromenaxhimit, por pa ide dhe njohuri për shtetin, ai mori përsipër të drejtojë qeverinë Shqiptare në 2013- n. Për të realizuar ndryshimin që kishte premtuar dhe populli priste, pas një konsumimi të gjatë të Partisë Demokratike në pushtet, zoti Rama e projektoi veten një misionar sesa një politikan tradicional. Ideja e misionarit do t’i falte atij gabimet në funksionimin e shtetit ligjor, por edhe mënyrave e mjeteve në përmbushje të misionit të tij.

Ardhja në pushtet e një njeriu të ri si Edi Rama u pa si një arritje pozitive nga faktori ndërkombëtar, në një rajon ku elitat politike nuk ndryshojnë shpejt. Ai vërtet ishte një piktor i parealizuar, por ishte njeriu që me bojërat e tij sillte shpresë te banorët e Tiranës, që aq shumë Fondacioni për Shoqëri të Hapur e kishte shpallur si një arritje ndërkombëtare. Pas vrullit dhe shpërthimit të Shakashvilit në Gjeorgji, Rama do të ishte i krahasueshmi i tij, i njëjtë në përmbajtje, por i ndryshëm në formë, përmes humorit dhe ngjyrave. Fasada është e nevojshme për ata që nuk kanë kohë të mendojnë për një vend të vogël si Shqipëria. Delegacione të rëndësishme vizitojnë Tiranën dhe nuk largohen pa parë zyrën e tij të pikturuar në çdo skaj dhe tabelën e basketbollit për t’u çlodhur nga puna e tepërt. Një udhëheqës i tillë është shembulli më i mirë për Ballkanin, një rajon i lodhur nga konfliktet dhe lufta civile. Ai ishte artist dhe si i tillë do të trajtonte çështjet dhe problemet. Në fakt, shqiptarët dhe ndërkombëtarët harruan atë që Rama thoshte shpesh: raportin e tij me historinë. Ai do të ndryshonte çdo gjë, por fillimi do të ishte kontrolli i pushteteve të pavarura.

Drejtësia do të ishte e para, por edhe ridimensionimi i institucionit të presidentit ishte i nevojshëm për të vazhduar reformat. Ai vijoi në projektin e tij, duke treguar përulje përpara ndërkombëtarëve, duke u vetofruar për marrjen e armëve kimike, vetëm që të kishte përkrahjen e tyre.

Klima e favorizimit ishte aq e plotë, sa kur u afrua si partner strategjik me Turqinë dhe zbatoi politikën e jashtme “zero probleme me fqinjët”, që do të ishte politika e jashtme e perandorisë neootomane, europianët e kaluan me shaka duke folur për paeksperiencë; kur ngriti platformën e Tiranës me partitë politike shqiptare të Maqedonisë së Veriut e justifikuan se po unifikon pikëpamjen perëndimore në Maqedoni, ndërsa kur foli nga Ulqini për projektin e bashkimit shqiptar, të gjithë nuk e morën seriozisht duke menduar se e bën për arsye elektorale të brendshme. Kënaqësinë dhe vëmendjen ndërkombëtare ai e amplifikonte vetë, duke u paraqitur si i zgjedhuri i Merkelit për “Procesin e Berlinit”, miku i Makronit apo njeriu që kishte lidhje direkte me Shtëpinë e Bardhë.

Ky vlerësim i faktorit ndërkombëtar jashtë vendit i bënte përfaqësuesit e tyre brenda vendit më entuziastë. “Kemi një udhëheqës që e flet italishten më mirë se italianët”, shprehej ambasadorja e Bashkimit Europian, duke nënkuptuar që është demokrati në një strofull konservatorësh primitivë. Disa ambasadorë të tjerë trumbetonin se do të ishte njeriu i reformës në Shqipëri dhe u morën me të se “kush duhej pastruar”. Ky besim ishte aq i madh, sa kur opozita u shpreh se Parlamenti është mbushur me elementë të inkriminuar, eurodeputeti Flekenstein shprehej se “e dimë që ka elementë të inkriminuar, por a do të ketë forcë Rama të ndahet prej tyre”, sikur Rama të ishte aseti që duhej mbrojtur dhe jo demokracia në Shqipëri.

Pika e kthesës për shoqërinë demokratike shqiptare Shqipëria gjithnjë e më shumë po merrte fizionominë e një shteti të kapur. Pushteti po merrte formën e një regjimi autoritar, ku lideri drejtonte me platformën e “Shqipërisë që duam” duke eklipsuar institucionet. Partia kishte marrë formën e mbyllur dhe nuk funksiononte si një institucion demokratik, por nën komandën e liderit të saj. Institucionet ishin kapur të tëra nga pushteti dhe nuk ekzistonte asnjë mekanizëm i kontrollit dhe balancës së pushtetit. Vetësiguria dhe pushteti i ndarë me oligarkët prodhonin jo transparencë dhe arrogancë. Pandëshkueshmëria u vendos si normë me marrjen e institucionit të Prokurorit të Përgjithshëm, duke shkelur edhe ligjin themeltar të sapondryshuar. Korrupsioni u shfaq në nivelet më të larta dhe përgjithësisht përkrahet nga qeveria në gjithë kontratat e infrastrukturës dhe kontratat e PPPve. Ligjet filluan të personalizohen si ligji “Fusha” për Teatrin Kombëtar dhe koncesionet hapur të parregullta të merrnin mbrojtjen juridike të deputetëve anonimë në Kuvendin e Shqipërisë. Shqipëria ndodhet përpara një situate, ku një regjim kërkon të kthejë demokracinë drejt modeleve joliberale të formës putineske.

Po faktori ndërkombëtar, a ka kthyer mendim?

Ndërkombëtarët, çfarë ka ndodhur në Shqipëri, e kanë parë si një fenomen psikologjik narcisist sesa një fenomen të dëmshëm që po prishte balancat e vendit dhe funksionimin e demokracisë institucionale. Deklaratat kundër Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Trump, kaluan në heshtje edhe nga vetë ambasada amerikane. Vota kundër SHBAsë kur Shqipëria për herë të parë bashkonte votën me botën islamike kundër interesave të partnerit të saj kryesor strategjik, duket se u shpërfill duke menduar se me të mund të sillen vetëm me pragmatizëm. Sa herë që amerikanët do të kishin ndonjë shqetësim me ndonjë problem si “muxhahedinët iranianë” apo me ‘evilstate’ të Iranit do ta përdornin. Por lakmia për të qenë lider global dhe projekti ndarës gjeopolitik i Ballkanit do të sillnin ndërgjegjësimin e parë të faktorit ndërkombëtar. Projekti VuçiçThaçi i përkrahur nga Rama ishte për ndarje të Kosovës dhe Serbisë në linja të pastra etnike, duke mundësuar hapjen e kutisë së Pandorës për të gjithë Ballkanin dhe kthimin e destabilitetit dhe rrezikut të paqes në një zonë ku fuqitë e reja botërore duan të shtrijnë zonat e tyre të influencës. Ky fakt ngriti vëmendjen e Francës dhe Gjermanisë për lojëra të rrezikshme të një njeriu, që nuk e kishin marrë seriozisht. Mossinqeriteti i Ramës për projektin krijoi perceptimin se shumë gjëra të tjera nuk janë si paraqiten.

Në vend të përfundimit

Argumenti i fundit ku ndërkombëtarët kanë lidhur veten me regjimin e Ramës është Reforma në Drejtësi. Për ta, reforma është e domosdoshme në një vend ku krimi i organizuar dhe korrupsioni janë jo vetëm prezent, por kthyer në problem endemik. Shumica e tyre mendojnë se kur të përfundojë Reforma, ata do të jenë në gjendje ta kontrollojnë procesin dhe vënë para përgjegjësisë të korruptuarit, pa besuar e kuptuar akoma se regjimi e ka kapur procesin që në krye të herës dhe e përdor për qëllimet e tij. Për hir të protagonizmit të tyre lokal, ata kanë mbështetur dhe ngritur një sistem joliberal dhe kthimin e një regjimi autokratik. Vërtet stabiliteti ka qëndruar gjithmonë mbi demokracinë në Ballkan, por jo deri në atë pikë ku demokracia të mos ketë mundësi të mbijetojë më. Sot, ata duhet të mendojnë seriozisht për ndryshim.

Sot, Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella politike të saj. Forcat politike kanë kapur pozicionet ekstreme dhe zgjidhja nuk po afron. Një pjesë e konsiderueshme e opinionit publik nuk pranon shpërdorimin e fondeve publike, denoncimin e vendit të tyre në mediat ndërkombëtare si narkoshtet, manipulimin e votës së lirë dhe kërkojnë ndryshim. Atë që ata nuk kuptojnë, është mungesa e një arbitri, të cilin e kanë luajtur ndërkombëtarët. Pavarësisht precedentëve që mund të interpretohen si të papranueshëm, demagogjisë së një regjimi që thekson se ata nuk janë populli apo presioneve që mund të ketë skenar nacionalist dhe destabilizues në Ballkan, faktori ndërkombëtar duhet të merret seriozisht me krizën në Shqipëri.

Në qoftë se ata nuk besojnë sot që kjo është një krizë e sistemit demokratik dhe populli kërkon një Shqipëri si e gjithë Europa, nesër të mos habiten që liderët që përkrahën, për të mbrojtur pushtetin e tyre, ka kthejnë Shqipërinë në dominimin e fuqive antieuropiane dhe antiperëndimore. Dhe kjo e ka një precedent në Shqipëri në vitet ’60-të. Lutemi të mos përsëritet më.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.