Qytetarët të vendosur, mijëra protestues zbarkojnë sërish sot në shesh
Mijëra qytetarë pritet të mblidhen sërish këtë të mërkurë në Tiranë në protestën e katërt kombëtare kundër projektit të shumëdebatuar të Zvërnecit.
Tubimi është paralajmëruar të nisë në orën 18:00 në Sheshin “Skënderbej”, nga ku qytetarët, aktivistët dhe përfaqësues të shoqërisë civile do të marshojnë drejt Kryeministrisë, në një akt simbolik kundërshtimi ndaj projektit dhe zhvillimeve të fundit.
Kjo protestë vjen pas tensioneve të krijuara gjatë tubimeve të mëparshme, ku u raportua edhe për dhunë ndaj protestuesve dhe pronarëve të tokës në zonën e Zvërnecit, çka ka rritur ndjeshëm reagimin publik.
Një ditë më parë, organizatorët dhe pjesëmarrësit në protestë deklaruan se nuk do të ketë dialog me kryeministrin Edi Rama, duke kërkuar anulimin e menjëhershëm të projektit dhe dorëheqjen e qeverisë.
Nga ana tjetër, kryeministri Rama është shprehur i vendosur për realizimin e projektit, duke deklaruar publikisht se ai nuk do të ndalet për sa kohë ai është në krye të qeverisë. Ai gjithashtu ka ftuar një përfaqësi prej 20 protestuesish për dialog, por kjo ftesë është refuzuar nga qytetarët, të cilët e kanë konsideruar si një përpjekje për përçarje.
Protesta e sotme pritet të jetë një tjetër test i rëndësishëm për përshkallëzimin e reagimit qytetar dhe presionin ndaj qeverisë lidhur me këtë projekt.

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



