Rama dhe Vuçiç bëhen bashkë, dalin hapur me plan të ri për BE-në
Edi Rama dhe Aleksandar Vuçiç kanë hedhur një ide të re për mënyrën se si vendet e Ballkani Perëndimor mund të afrohen më shpejt me Bashkimin Evropian.
Në një opinion të përbashkët të publikuar në të përditshmen gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung, dy liderët propozojnë një qasje që e zhvendos fokusin nga anëtarësimi i menjëhershëm në BE drejt integrimit gradual në tregun e përbashkët evropian dhe në zonën Schengen.
Sipas tyre, një model i tillë do t’u mundësonte vendeve të rajonit përfitime konkrete dhe të menjëhershme për qytetarët dhe ekonomitë, ndërkohë që do të forconte edhe vetë BE-në në aspektin ekonomik dhe gjeopolitik.
Në shkrim, Rama dhe Vuçiç theksojnë se mungesa e zgjerimit të BE-së që nga viti 2013 ka krijuar një klimë zhgënjyese për vendet e rajonit. Ata argumentojnë se Ballkani Perëndimor duhet parë si një hapësirë strategjike për investime dhe stabilitet, sidomos në një moment kur zhvillimet gjeopolitike globale po ndryshojnë me shpejtësi.
Dy liderët pranojnë gjithashtu se brenda Bashkimit Evropian ekziston një dilemë: vendet kandidate kërkojnë një rrugë të qartë drejt anëtarësimit të plotë, ndërsa shtetet anëtare duan të ruajnë funksionalitetin dhe aftësinë vendimmarrëse të unionit.
Si zgjidhje për këtë situatë, ata sugjerojnë integrim të përshpejtuar në tregun e përbashkët dhe në zonën Schengen pa ndryshuar strukturën institucionale të BE-së. Kjo formulë, sipas tyre, nuk do t’u jepte vendeve kandidate të drejtë vetoje, nuk do të shtonte komisionerë të rinj dhe as deputetë në Parlamentin Evropian, duke e bërë procesin më të pranueshëm për vendet anëtare që hezitojnë përballë një zgjerimi të ri.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



