Rama kandidon në Tepelenë, ish-kryegardistin Gramoz Sako
Ish-kreu i Gardës mori mbi 100 mln euro nga buxheti i shtetit tendera në emër të vëllait
Në Shqipërinë e “rilindjes” politike, duket se formula e pushtetit është e qartë: përkushtimi ndaj partisë shpërblehet me tendera, poste dhe mandate. Pas dhënies së kontratave publike me vlera marramendëse, kryeministri Edi Rama po vendos në radhë të parë për t’u kandiduar në zgjedhje njerëzit që kanë qenë pjesë e mekanizmit të abuzimeve dhe pasurimit përmes fondeve publike.
Këtë herë, rasti i Gramoz Sakos ish-komandant i Gardës së Republikës është një shembull tipik se si funksionon kjo skemë e klientelizmit dhe korrupsionit të institucionalizuar.
Nga Garda në tendera: Kompania “2T”, simbol i vjedhjes së fondeve publike
Gramos Sako, gjatë dhe pas detyrës si Komandant i Gardës, është i lidhur ngushtë me kompaninë e ndërtimit “2T” sh.p.k. me NIPT K01731001M.
Kompani që, sipas dokumenteve zyrtare dhe transaksioneve të zbuluara, është përdorur për të zhvendosur miliona euro para publike në emër të familjarëve të tij, përmes kontratave klienteliste, tenderave pa garë dhe manipulimeve sistematike të dokumenteve.
Në mënyrë formale, kompania është regjistruar në emër të vëllait të tij, Artan Sako, pak kohë para se Gramos Sako të emërohej në krye të Gardës së Republikës. Por realisht, kontrolli mbi kompaninë dhe përfitimet nga tenderat kanë mbetur në duart e komandantit.
Pas vitit 2013, kompania mori fluks kontratash publike nga bashkitë, ministritë dhe agjencitë qendrore, me vlera që shkojnë mbi 100 milionë euro.
Tenderat përfshijnë punime rrugësh, pastrim mbeturinash, ujësjellësa, kanalizime, rehabilitim digash dhe sheshe ndërtimi – të gjitha me flamuj të kuq korrupsioni dhe me oferta pranë fondit limit.
Rrjeti familjar i pasurimit
Hetimet mediatike tregojnë se paratë e fituara nga tenderat janë ricikluar përmes familjarëve.
Në një rast të dokumentuar, kompania “2T” i ka kaluar 63 mijë euro në formë “borxhi” bashkëshortes së Artan Sakos, një dentiste pa lidhje me sektorin e ndërtimit.
Ndërsa shuma të tjera janë dhuruar ose kaluar “cash” në llogari të vetë Gramos Sakos, i cili i ka investuar në pasuri të paluajtshme të regjistruara në emra të tjerë.
Përveç kësaj, raportet e Vetingut në Polici zbuluan se Sako kishte fshehur pasuri, kishte punësuar mbesën e tij si juriste, dhe përdorte pozitën publike për përfitime private.
Megjithatë, pavarësisht fakteve të rënda, u konfirmua në detyrë, duke e kthyer procesin e Vetingut në një farsë që u braktis nga vetë ndërkombëtarët.
Nga tenderat tek kandidatura politike
Pas gjithë këtyre zhvillimeve, Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë Gramos Sakon për kryetar të Bashkisë Tepelenë, në vend të Tërmet Peçit, i cili mori mandatin e deputetit.
Vendimi u konfirmua nga Mirela Kumbaro, drejtuesja politike e qarkut, e cila deklaroi se përzgjedhja e Sakos është bërë “për të rritur profilin e Bashkisë dhe për t’i dhënë energji të re Tepelenës”.
Në fakt, kandidatura e Sakos është një sinjal i qartë se korrupsioni jo vetëm që nuk ndëshkohet, por promovohet.
Nga drejtimi i Gardës, tek tenderat publikë dhe tani drejt Bashkisë, Sako është shembulli i një rrotacioni të pushtetit brenda së njëjtës kupolë të korrupsionit që Rama e mban të paprekur.
Kundërshtari dhe sfondi politik
Në garë përballë tij, Partia Demokratike ka vendosur avokatin Malo Sadiku, një figurë lokale me reputacion profesional, por me burime dhe mbështetje shumë më të kufizuara përballë aparatit shtetëror.
Ndërkohë, PS vazhdon të përdorë pushtetin dhe buxhetin publik si mjet elektoral, duke vendosur kandidatë që i kanë shërbyer sistemit përmes besnikërisë dhe korrupsionit.
Një histori që përmbledh Shqipërinë e sotme
Rasti i Gramos Sakos është më shumë se një kandidaturë lokale.
Është pasqyra e një modeli politik, ku lidhjet me pushtetin janë valuta e vetme që vlen, ku SPAK hesht, dhe ku vjedhja e fondeve publike shpërblehet me pushtet të ri.
Në vend që të përgjigjet për kontratat dhe pasuritë e fshehura, ish-kryegardisti do të kërkojë votën e qytetarëve të Tepelenës – duke treguar se në Shqipërinë e Ramës, korrupsioni nuk është pengesë për karrierë, por garanci për avancim.
Partia Socialiste ka vendosur të kandidojë në Tepelenë me Gramoz Sakon për postin e kryetarit të Bashkisë. Sako, i cili njihet në karrierën e tij dhjetëvjeçare si Komandant i Gardës së Republikës, është me origjinë nga Nivica e Tepelenës dhe shumë i lidhur me zonën e tij në vazhdimësi.
Kandidati surprizë vjen pas dorëzimit të mandatit të kryetarit të bashkisë nga Tërmet Peçi, i cili u bë deputet.
Drejtuesja e Qarkut, Mirela Kumbaro, ka konfirmuar kandidaturën e tij duke argumentuar se përzgjedhja u bë pa asnjë listë të gjatë kandidatësh nga Tepelena, me synimin për të rritur profilin e Bashkisë dhe për t’i dhënë një energji të re Bashkisë së Tepelenës, e cila po përjeton një valë të re të rritjes ekonomike nga turizmi malor dhe infrastruktura e përmirësuar rrugore.
Ndërkohë, Partia Demokratike ka si kandidat kryesor të saj avokatin e njohur vendas, Malo Sadiku.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



