Rama-Meta-Berisha, hall burgu!

Ditën shahen, akuzojnë dhe çfarë nuk thonë për njëri-tjetrin, por kur vjen puna te interesat, të gjithë bëhen bashkë. E kemi fjalën për krerët e politikës që në 30 vite nuk kanë njohur etikë e moral, teksa tani duket se janë vënë në aleancë duke sfiduar amerikanët dhe aleatët e tjerë që mundësuan reformën në drejtësi.

Sot në Kuvend u konstituua një komision me 6 anëtarë, qëllimi i të cilit do të jenë ligjet me 3/5 dhe sidomos ligjet që kanë të bëjnë me reformat. Me pak fjalë ligjet e reformës në drejtësi. Në pazarin që u bë mes Ramës dhe grupit të Berishës, përveç komisioneve hetimore, një dakordësi u arrit për disa ligje që janë ndryshuar në kuadër të reformës në drejtësi. Dhe duket se pazari është vënë sot në zbatim.

Nga Rithemelimi anëtar janë Oerd Bylykbashi dhe Dhurata Çupi, ndërsa vendi që refuzoi Basha, i është lënë Erisa Xhixhos nga PL. Ndërsa nga mazhoranca anëtarët janë Damian Gjiknuri, Klotilda Bushka, Toni Gogu. Pra duket se kemi një pazar Rama-Meta-Berisha.

Por ajo që fshihet pas këtij komisioni nuk do të jetë vetëm rishikimi i ligjeve, pasi pritet që të vihet në zbatim skenari i paralajmëruar pak kohë më parë nga Eduard Shalsi. Ai paralajmëroi më herët një komision bipartizan, i cili do të monitorojë institucionet kushtetuese dhe ato të drejtësisë, përfshirë këtu edhe SPAK. Pikërisht komisioni që u ngrit sot, është hapi i parë drejt një manovre të tillë.

SPAK ka filluar të godasë fort, si majtas ashtu dhe djathtas. Sali Berisha është izoluar në banesë, teksa ekziston frika se mund të hapen të tjera dosje për të.

Ilir Meta është drejt arrestimit. SPAK e ka kopsitur dosjen CEZ-DIA, teksa drejt fundit është dhe ajo e lobimeve në SHBA.

Edi Ramës po i bien të vetët një e nga një. Arrestimi i drejtorit të ARRSH apo i Jorgo Goros është sinjali i radhës se mund të kemi të tjerë ministra pas hekurave. Po ashtu vetë Rama ka dosjen “McGonigal” që e terrorizon.

Të gjendur përballë këtij halli, duket se Berisha, Rama e Meta janë bërë bashkë. Që të tre kanë hall burgu dhe po bëhet ç’është e mundur që reforma të sabotohet. /Pamfleti

Publikuar nga Publik Media