Rama “n”
Porsa dëgjuan emrat e përfshirë në të ashtuquajturin ekip qeverisës, të gjithë, gazetarë e analistë por jo vetëm, nxituan të jepnin komentet nga më të larmishmet. Por çka ishte e përbashkët për të tërë komentuesit, pavarësisht qëndrimit ndaj saj, lëvdues, përbuzës apo edhe sharës, ishte fakti se të gjithë e përcaktonin këtë si Qeveria “Rama 3”.
Kur e gjykon numrin e mandateve të marra nga Rama për të qeverisur, në fakt asnjë nuk gabon, se ato deri tani janë fiks 3.
Por me thënë të drejtën, kur flet për tre qeveri Rama nuk ka asnjë pikë dyshimi që Ramës po i hamë hakun. Rama nuk e ka këtë qeverinë e tretë që ka marrë përsipër të drejtojë. Ai ka bërë më shumë se një qeveri në secilin prej mandateve të shkuara dhe bile pa ia pasur nevojën mocioneve të mosbesimit apo besimit.
Ai ka ndryshuar e ndërruar titullarët e dikastereve sa herë i ka dashur qejfi dhe pa asnjë vështirësi pa u bezdisur as nga vetë të përzënët nga kolltuku dhe as nga të çjerrat e opozitës, por as edhe nga kundërshtitë e Presidentit apo mosdekretimet e tij.
Edhe kësaj here, Rama vetëm sa konfirmoi që nuk ka ndër mend të ndryshojë stil.
Topi është i imi, penalltinë e gjuaj vetë!
Numrat zyrtare të votimit në zgjedhjet e fundit parlamentare dëshmuan se Partiakët e listave janë të pavlerë. Votat fituese i sollën kontribuesit e të përzgjedhurit jashtë Partisë, dhe këtu dihet kush ishte përzgjedhësi. Shembujt janë të panumurt, bile edhe ato të ndonjë përjashtimi partiak si Xhafaj vetëm sa e konfirmojnë që nuk ishte çështje preference partiake se sa mobilizim strukturash përtej saj. (Mjafton të krahasosh votat e tij me ato të grumbulluara nga partiaku i thekur Pandi Majko)
Ndaj qëndrimet e Ramës, me zgjidhjet e vendimet personale, që anashkalojnë tërësisht opinionin e strukturës partiake për ndërtimin e qeverisë, janë plotësisht të kuptueshme dhe me gjykim të ftohtë nuk mund të mos i japësh të drejtë atij për këtë qasje. Kë të pyesë, partiakët, që nuk sjellin vota, apo këta prurësit e votave, që nuk kanë lidhje me qeverisjen.
Edhe më shumë përforcohet kjo kur, sikurse e shpalosi po vetë Rama, ai as qe i kish pyetur të përzgjedhurit apo të përzgjedhurat për angazhimin në pozicionin e titullarit të dikasterit. Kjo e bën edhe më të theksuar faktin që ai ka në kontroll shumë më tepër se sa kryesimin e qeverisë, bile ai në fakt është qeveria dhe këta të përzgjedhurit i bie të jenë thjesht njëfarë mëkëmbësi apo edhe zëdhënesi në dikaster.
Çudia, në se bën kuptim të çuditemi akoma, është që asnjë nga të përzgjedhurit nuk pati ndonjë arsye objektive, që mund ta pengonte për të marrë përsipër detyrën, qoftë edhe për çështje, fjala vjen, shëndeti apo familjare. Kompetenca me sa duket as që diskutohet ose mund të jetë edhe për faktin që as nuk do t’i duhet sepse nuk është se do ta kryejë vetë punën. Pa le se kush do ta kryejë dhe si. A e kujtoni ate kosovarin sapo mustaqedirsur Cakaj…
Ah e vërtetë kësaj here do të mungojë Braçe e në do të na duhet të harlisim mendjen për të gjetur se kush mund të drejtojë mbledhjet e qeverisë e të firmosë vendimet, por në këto nivelet e arritura me të përzgjedhurit nuk dyshojmë që do të jetë problemi më i vogël kur kujton ekipin mjaft me eksperiencë të godinës së qeverisë, që nga sekretariati dhe deri tek eminencat gri në oborr.
Ndaj nuk na mbetet veçse të bashkohemi edhe ne me brohoritjet në kuvend të deputetëve, me aklamacion, për qeverinë e “n” të Ramës.
E këtu nuk ka fare rëndësi se çfarë numri ka qeveria, në se është “n” apo “n+1”, ajo është e mbetet Rama.
Nëse do të tentonim të veçonim diçka ndryshe në këtë mandat të tretë qeverisës në epokën Rama do të duhet të hedhim një vështrim nga opozita dhe qëndrimin që Rama do mbajë ndaj saj.
Numrat e arritur nga opozita në zgjedhje dëshmuan qartazi një rënie të konsiderueshme për maxhorancën qeverisëse dhe këtë më mirë nga të gjithë e lexoi Rama, që me lëvizjet e tij edhe kësaj herë, më shumë nga jashtë vendit, nuk hezitoi të japë goditjet efikase për ta dobësuar e përçarë atë.
Ndonëse në dukje e fortë në numra, shenjat që vijnë nga kampi opozitar nuk japin shpresë për ndonjë qëndrim të fortë e radikal e mbase Rama këtë mund ta shfrytëzojë sikurse ka dëshmuar edhe më herët se di ta bëjë mirë për të shtruar rrugën për arritjen e qëllimit që nuk e ka fshehur kurrë as në ligjërimet e tij të shpeshta për një mbretërim afatgjatë, si lideri i përzgjedhur, popullor e mbipartiak i pakontestueshëm e mëshirëplotë. Suksese!/Kolë Mokra
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



