E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rama  shkarkon nga New York-u  Vlora Hysenin
Lajme

Rama shkarkon nga New York-u Vlora Hysenin

Nuk bëjmë avokatinë e askujt, lirohet menjëherë nga detyra

Kryeministri Edi Rama është distancuar nga drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, pasi GJKKO caktoi ndaj saj masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra.

Nga Nju Jorku, ku ndodhet për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rama njoftoi largimin e menjëhershëm të Hysenit dhe nisjen e procedurave për zgjedhjen e drejtuesit të ri të SHISH-it.

Megjithëse ishte vetë Rama që e propozoi Hysenin në krye të institucionit më të rëndësishëm të inteligjencës shqiptare, kryeministri deklaroi se përgjegjësia penale është individuale dhe se mazhoranca nuk do t’i bëjë “avokatinë” asnjë zyrtari që përballet me drejtësinë.

Vlora Hyseni u emërua drejtoreshë e SHISH-it në prill 2023, pas propozimit të Ramës dhe dekretimit nga Presidenti Bajram Begaj. 

“Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe të zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë vlerësoi punën e Hysenit dhe marrëdhëniet e saj me agjencitë partnere, por theksoi se askush nuk mund të qëndrojë mbi ligjin, pavarësisht funksionit publik.

“Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar, por askush nuk është mbi ligjin, në asnjë rast dhe për asnjë arsye. Unë i jam falënderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë”, u shpreh kryeministri.

Rama përsëriti formulën e përdorur edhe për ish-ministra dhe bashkëpunëtorë të tjerë të tij që janë përballur me drejtësinë: përgjegjësia është individuale dhe qeveria nuk ndërhyn në dosjet penale.

“Kjo shumicë qeverisëse, me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi, duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, deklaroi ai.

Kryeministri njoftoi se shkarkimi i Hysenit do të jetë i menjëhershëm.

“Lirimi nga detyra i drejtoreshës së Shërbimit është i menjëhershëm. Sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit”, tha Rama.

Kryeministri kritikoi gjithashtu debatin politik dhe mediatik që zhvillohet pas arrestimit ose procedimit të zyrtarëve të lartë, duke kërkuar respektimin e prezumimit të pafajësisë deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

Reagimi i Ramës erdhi pasi GJKKO, me kërkesë të SPAK-ut, caktoi ndaj Hysenit masën “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës. Sipas raportimeve mediatike, drejtuesja e SHISH-it ndodhet jashtë Shqipërisë dhe masa nuk ishte ekzekutuar ende në momentin e publikimit.

Hetimi raportohet se lidhet me zhvillimet në dosjen e AKSHI-t dhe hetimet ndaj biznesmenit Ergys Agasi. Hyseni dyshohet për veprat penale “përkrahja e autorit të krimit” dhe “zbulimi i akteve ose i të dhënave sekrete shtetërore”. Këto mbeten dyshime të organit të akuzës dhe nuk përbëjnë vendim fajësie.

Deklarata e Ramës shënon distancimin politik nga një prej emërimeve të tij më të rëndësishme në institucionet e sigurisë kombëtare, por pa marrë përgjegjësi për propozimin dhe vendosjen e Hysenit në krye të SHISH-it.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.