Rama si Enveri – Pse nuk e dimë ne kush është Veliaj, ai m*t – m*ti

Hysni Gurra

Edi Rama mesa duket ka vendosur të çojë në ‘gijotinë’ beniaminin e tij, Erion Veliaj, dhe për këtë thirri sot në takim gjithë Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe anëtarët e kabinetit, për të treguar me gisht hajdutin e momentit në radhët e Rilindjes.

Nuk ka asnjë dyshim se për të shpëtuar veten e tij, Edi Rama nuk kursen askënd, por nëse me kurbanët e deritanishëm e ka patur më të lehtë, me Veliajn është i vetëdijshëm se i duhet mbështetje më e gjerë brenda radhëve, pasi Lali ka depërtuar me para e influenca të ndryshme në radhët e Rilindjes.

“Parazit që thithin gjakun e trupit të Partisë”, Rama nënkuptoi, edhe pse jo me emër të përveçëm, Veliajn.

Madje nuk nguroi ta quajë edhe tradhëtar të familjes politike.

Pse gjithë monologu ishte për Veliajn?

Njeriu më i akuzuar për skemën më të famshme korruptive të momentit nga Rilindja është Erion Veliaj.

“Thith gjakun e socialistëve dhe flirton me korrupsionin…”

Nga shumë rilindas, Erion Veliaj është më tipiku që ka përfituar nga pushteti i socialistëve duke mos qenë socialist.

Prej shpërthimit të skandalit të inceneratorit dhe aferës “5D” Veliaj është kujdesur që gjithë kohën të flasë si socialist, të flasë si mik i ngushtë i Ramës, pra, të atashohet sa më shumë me shefin dhe Partinë ku u katapultua nga vetë Rama pa asnjë kontribut.

Kjo gjë e ka acaruar Edi Ramën, pasi ai e di shumë mirë që Lali i tij plaçkën e vjedhur nga pushteti i Rilindjes e ka shpërndarë për të blerë pushtet brenda radhëve të Grupit Parlamentar dhe strukturave të PS.

I gjendur në kushte të tilla, Rama ka vendosur të flasë me deputetët që të mos guxojnë dhe as mos ta mendojnë të bëhen palë me Lalin kundër tij.

Dhe sot Rama i ka mbledhur ata për t’u treguar se kush është Erion Veliaj dhe kush është shefi i tyre.

“Dua të jem i qartë me ju te kjo ‘ne’-ja e PS-së nuk do të ketë, sa të jem unë i besuari juaj, një ‘ne’ të njëjtë, sikur bëjmë betejat dhe punët për të cilat na kanë besuar shumica e shiptarëve, sikur për këdo prej nesh që tradhton ata që na kanë besuar duke flirtuar me armikun e shpallur të kësaj lufte, i cili është korrupsioni.

Kush flirton me atë armik, kush i tradhton besimtarët tanë, kush i tradhton njerëzit që i kanë dhënë privilegjin secilit prej nesh për të qenë përgjegjës, nuk është as ne, nuk është as i yni dhe nuk ka punë me ne.

Ashtu sikur dikush që është zgjedhur në krye të një bashkie, nëse fut duart në arkat e këtij shteti dhe xhepat e këtij populli, nuk është ne.

Nuk ka se si të jetë ne dhe as se si të kërkojë gjë tjetër nga ne përveç përbuzjes.

E thënë ndryshe, çdo anëtar i kësaj familjeje politike që bën korrupsionin në funksionet publike është një tradhtar i dyfishtë, jo vetëm i popullit shqiptar si çdo hajdut me kostum që merr çka nuk është e tij, por edhe i PS-së si çdo parazit që ushqehet me gjakun e trupit ku rritet.

Ku qëllon që fatmirësisht që një hajdut dhe parazit i tillë të zbulohet nga drejtësia, i hidhur është sa të duash fakti që e kishim mes nesh, por lajmi që e kemi një parazit më pak në trupin tonë është lajm shumë i mirë”, ka thënë Rama për Veliajn.

Erion Veliaj nisi me vrull anëtarësimet në PS fill pas lançimit që bëri Rama për rienergjizimin e Partisë.

Por çuditërisht, prej ditës kur plasi skandali i 5 drejtorëve të Lalit, ky i fundit nuk është parë më të angazhohet në rienergjizimin, siç duket lëshimi i tij është shtrirë edhe në bazën e Partisë, së cilës, sot po akuzohet nga Rama se po i pi gjakun.

Sulmi i sotëm i Ramë ndaj Veliajt nuk është i rrallë në radhët e kësaj Partie.

Ai është shumë i ngjashëm me sulmet që nisi Enver Hoxha ndaj Beqir Ballukut, të cilin e akuzonte pak a shumë si të korruptuar, si hamës i shfrenuar dhe i pacipë.

Jo më kot gjatë fjalës së tij, kur foli për korrupsionin, Rama bëri edhe një paralelizëm me kohën e Enverit kur tha se, edhe atëherë kishte korrupsion, por hanin ndonjë pulë a ndonjë mish se para s’kishte kaq shumë.

Është e famshme fjala e Enverit për Beqir Ballukun, “Pse nuk e dinim ne kush ishte Beqir Balluku, ai m*t – m*ti..”

Publikuar nga Publik Media