Realiteti paralel i Bankës së Shqipërisë
NGA EVARIST STOJA
Me muaj shqetësimi që kursi i çoroditur i këmbimit euro-lek po sjell në ekonomi vihet re gjithandej. Eksportuesit po e artikulojnë problemin më qartë e më fortë se falimenti i tyre nuk kufizohet thjesht te humbjet e investimeve të tyre individuale të krijuara me sakrifica po edhe humbja e vendeve të punës për qindra e mijëra punonjës, e vështirësi financiare për partnerët e tyre tregtarë, veçanërisht furnitorët që nëse nuk arrijnë të marrin pagesat për shërbimet e mallrat e ofruar eksportuesve, mund të shkaktojë një dallgë të dytë falimenti me vende të tjera pune të humbura e kështu me radhë në një spirale të tatëpjetë ekonomike që për shqiptaret nuk janë të huaja.
Kjo spirale bëhet edhe më e mundur kur efektit negativ të kursit të çoroditur të këmbimit te eksportuesit i bashkohet efekti i tij te prodhuesit e mallrave për konsum të brendshëm që konkurrohen padrejtësisht me çmime më të lira të mallrave të importit po si pasojë e çoroditjes së kursit.
Për fat të mirë edhe mediat po i kushtojnë këtij problemi vëmendjen që meriton. Kjo gazetë, përveç hapësirës bujare që i ka krijuar ngritjes së këtij problemi, prej muajsh raporton përditë kursin e këmbimit të lekut me euron e monedha kryesore që ndihmon për ta parë çoroditjen qartësisht.
Luhatja e kursit euro-lek, me gjithë parashikimet optimiste të ekspertëve, më tepër po i ngjan ecjes së një të dehuri tek përpiqet të kthehet në shtëpi pas një nate të stuhishme – problemi nuk është te rruga e gjatë për tu përshkuar, por te gjerësia e rrugës.
Natyrisht, kjo çoroditje e kursit të këmbimit nuk ka se si t’i mos bindej logjikës elementare ekonomike: kur çmimi rritet, kërkesa ulet. INSTAT-i, me një profesionalizëm të admirueshëm, po ndihmon në kristalizimin e efekteve ekonomike te saj. Ja si paraqitet situata ekonomike e tregtisë me jashtë sipas tij:
INSTAT bëri të ditur se në gusht 2023 eksportet e mallrave arritën vlerën 27 mld lekë, duke u ulur me -21,9 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë… Në janar shitjet jashtë vendit u zgjeruan me 20.2% me bazë vjetore, ndërsa në shkurt u zgjeruan me vetëm 2.8%. Rënia nisi në mars, me 11.7%, u thellua në prill me 19.3% dhe vijoi tendencën negative në maj me – 11.7%. Në qershor, tkurrja u thellua sërish në 17.3%, për t’u ngadalësuar në korrik në -4%, duke kërcyer në gusht me -21.9%.
Ndërkohë, situata është diametralisht e kundërt sipas Bankës së Shqipërisë si ç’e ilustron ekstrakti më poshtë:
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se të ardhurat neto të ekonomisë shqiptare nga fasoneria arritën në 198 milionë euro, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë për një tremujor të vetëm. Për 6- mujorin e parë [te 2023], të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 394 milionë euro, në rritje me 16% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Kush dhe si mund t’i bëjë bashkë këto shifra? A mund të ndodhë që çmimi i një produkti normal, joluksoz të rritet dhe kërkesa për të gjithashtu të rritet?! Kur leku mbiçmohet në krahasim me euron, kjo i bën eksportet shqiptare më të shtrenjta në tregun evropian. Kjo rritje çmimesh shpie në ulje të shitjeve. Por, sipas panoramës së BSH, çuditërisht kjo rritje çmimesh si pasojë e kursit të çoroditur euro-lek paska shpënë në rritje të të ardhurave me 16%!
Nëse Banka e Shqipërisë nuk ka vendosur të marrë pak pushim nga realiteti që tashmë është i qartë, është e vështirë ta kuptosh atë panoramë ekonomike. Dhe kjo nuk është hera e parë që Banka e Shqipërisë është në situatë të vështirë nga koklavia e logjikës së vet. Prej vitesh proklamon se lufta kundër informalitetit është prioritet i saj. Më vonë hedh në qarkullim kartëmonedhën 10,000 lek. Tani konstaton me keqardhje që informaliteti në Shqipëri po rritet. Po ndonjë kontradiktë midis objektivit dhe veprimeve të veta, a vë re?
* Profesor i Financave, Universiteti i Bristolit, Mbretëri e Bashkuar
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



