Rrathët e çmendinës shqiptare
Tregojnë se dikur pas mbarimit të Luftës së Dytë, Shqipëria ishte ftuar të merrte pjesë në një konferencë ndërkombëtare. Delegacioni shqiptar kryesohej nga Enver Hoxha, të cilin gjatë udhëtimit, thuhet se e zënë ca kriza në Bari të Italisë.
Tuk Jakova, i cili ishte i vetmi në delegacion, që dinte italisht, i sugjeron Enverit, të vizitohet te një mjek italian, që ishte dashamirës me shqiptarët.
Pasi mbaron vizitën, mjeku i thotë Tuk Jakovës: Më vjen shumë keq për Shqipërinë.
– Pse, – e pyet Jakova.
– Ky është udhëheqësi i tretë i çmendur i Shqipërisë që kam vizituar. Nuk e di si kanë qënë ata më parë, por këta tre të fundit rresht që kam vizituar kanë qënë të gjithë të çmendur dhe nuk e kuptoj se si populli juaj reziston akoma pa u çmendur i gjithi, – shpjegoi mjeku.
Më parë doktori italian kishte vizituar Sulejman Delvinën dhe Ahmet Zogun.
Më pas, fati u tregua edhe më i keq me shqiptarët dhe i hodhi sa nga një i çmendur tek tjetri. Tani me sa duket profecia e doktorit italian është realizuar. Shqipëria është kthyer në një çmendinë të madhe.
Disa të çmendur të vrasin rrugës me makinë.
Të tjerë të vrasin në plazh, në lokal, në supermarket, tek parkingu, në punë, kudo. Këta janë rrethi i parë i të çmendurve.
Më pas vjen rrethi i dytë. Këta janë të çmendur publikë me stof intelektual, të cilët analizojnë çmendurinë e këtyre të rrethit të parë. Këta thone se çmenduri si këto ndodhin kudo në botë.
Fjala vjen, kur digjen shezlonet në Dhërmi, këta i hyjnë analizës së thellë dhe gjejnë se edhe në Saint Tropez apo ne Sardenjë u rrëzua një turist nga shezloni, por nuk e dhanë fare te lajmet.
Kur kërcet lufta në plazh, këta prapë i hyjnë analizës së thellë dhe gjejnë se në një qytet të Anglisë ose Gjermanisë shpërtheu një kapsollë. As këtë nuk e dhanë te lajmet.
Këta të çmendurit e rrethit të dytë u shërbejnë atyre që qëndrojnë në majën e piramidës së çmendinës. Domethënë qeveritarëve. Herë kundrejt shpërblimit, herë duke u vetofruar dhe herë si investim karriere në perspektivë.
Tani, këta të majës së piramidës janë të çmendurit më të rrezikshëm. Këta ndajnë plazhet, japin tapi për detin, vjedhin të ardhmen e fëmijëve të tyre, bëjnë ligje për të çmendur gjithë të tjerët.
Domethënë këta janë arkitektët e gjithë kësaj çmendine të madhe. Dhe janë aq shumë të kënaqur me veprën e tyre saqë vazhdojnë të çmenden gjithmonë e më shumë.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



