E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Rritja e borxhit publik dhe barra që po iu lihet brezave që vijnë
OP-ED

Rritja e borxhit publik dhe barra që po iu lihet brezave që vijnë

Viti i ri nisi me hyrjen në fuqi të ligjit që ofron bonusin e bebes i cili përbëhet nga një shpërblim prej 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë lekë për të dytin dhe, dhe për fëmijën e tretë 120 mijë lekë. Mirëpo ky ligj është ironik sepse është po ky shtet i cili me papërgjegjshmërinë e administrimit të buxhetit publik gjatë dy dekadave të fundit, e ka futur vendin në një borxh të thellë që do ngelet peshqesh tek fëmijët e sapolindur. Sipas Ministrisë së Financave Borxhi Publik është 69.9 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas raportit të KLSH, rezulton të jetë 73% e PBB-së ndërsa, sikurse raporton me të drejtë revista Monitor, kontratat koncensionare në fuqi me Partneritet Publik-Privat arrijnë në 12.7 % të PBB-së, dhe e çojnë borxhin real në gati 83%. Nëse merret në konsideratë kjo e dhënë e fundit është llogaritur se çdo i sapolindur trashëgon një borxh prej 3100 eurosh.

Edhe pse deficiti i qeverisë dhe borxhi publik trajtohen si të ishin diçka e natyrshme dhe lehtësisht e pranueshme, duhet thënë se kemi të bëjmë me një gjë shumë të shëmtuar e të pamoralshme, sepse janë borxhe që iu lihen brezave që vijnë. Pra shpagimi i tyre do të duhet të bëhet nga persona të cilët nuk kanë pasur asnjë gisht apo mundësi zgjedhje për lidhjen e kontratës së borxhit publik që do duhet të paguajnë, dhe çështë më e keqja, nuk kanë marrë asnjë përfitoj prej tij. Brezat e ardhshëm do të penalizoheshin me taksa më të larta që rëndojnë jetën e qytetarëve dhe bizneseve për të kthyer borxhin publik të vendosur nga politikanë të papërgjegjshëm. Rritja e taksave i nxit njerëzit të ndryshojnë aktivitetet e tyre të punës, kursimeve dhe investimeve duke deformuar ekonominë dhe zvogëluar rritjen. .

Një tjetër taktikë që do ishte barrë për brezat e tjerë mund të ishte inflacioni i shpejtë spekulativ nga ana e qeverisë. Qeveria mund të fryjë në stokun e parave nëpërmjet prerjes së parave të reja duke shkaktuar që çmimet të rriten duke zvogëluar vlerën reale të të gjitha aseteve të shprehura në njësi të parave. Kjo i jep leverdi të dyfishtë përkundrejt lehtësimit të borxhit publik sepse nga njëra anë mbledh më shumë taksa për ta shlyer dhe nga ana tjetër ul vlerën reale të borxhit që i detyrohet kreditorëve. I vetmi përjashtim do të ishte nëse qeveria do të vendoste që të shpallte falimentin duke ndëprerë kthimin e borxhit të marrë çka do ishte në vetëvete një gjë poashtu moralisht e dënueshme dhe ekonomikisht shumë e dëmshme.

Lehtësia me të cilin e kanë thelluar deficitin dhe borxhin publik qeveritë e njëpasnjëshme shërben edhe si dëshmi që kemi të bëjmë me një sistem politik të kalbur në thelb. Elitat politike në Shqipëri kanë dëshmuar se, pavarësisht krahut politik, se e vlerësojnë rizgjedhjen e tyre më shumë sesa vlerësojnë interesat e publikut të gjerë dhe shëndetit të ekonomisë së vendit. Për të fituar zgjedhjet në mandatin e dytë qeveria e drejtuar nga Partia Demokratike shtoi pafund huamarrjen e qeverisë për të mundësuar një derdhje masive të kapitalit në projekte infrastrukturore. Një pjesë e huasë u mor nga vetë ndërtuesit dhe vonesa në pagesë i çoi ato kompani drejt falimentimit. Një pjesë të atij borxhi, shpesh me norma interesi të larta tregtare, jemi ende duke e paguar sot, në vend që me paratë tona të paguheshin ato para për gjyqtarë më të pakorruptuar, policë më të motivuar apo mjek më të përkushtuar që sjanë të tunduar për emigracion. Situata sot është një deja vue, i njëjti skenar por kanë ndryshuar aktorët. Për të gjallëruar ekonominë e marrë vota, përsëri po merret borxh, kësaj radhe i maskuar në formën e PPP-eve, faturën e të cilit do e paguajnë brezat e ardhshëm.

Mirëpo nuk është çudi që me këtë ritëm e papërgjegjshmëri në administrimin e buxhetit, të mund edhe të falimentojmë si shtet. Bizneset, institucionet financiare apo njerëzit që blejnë bono e obligacione mund të fillojnë që të kenë dyshime për aftësinë e shtetit shqiptar për të rimbursuar paratë sepse shohin që borxhi është shumë i thellë dhe ekonomia tepër e dobët e me ritëm të ulët rritje. Në të tilla raste këta investitorë do të kërkojnë një interes më të lartë për të kompensuar për riskun në rritje të një qeverie të zhytyr në borxhe. Nëse gjërat përkeqësohen edhe më tutje mund të katandisemi në një situatë kur qeveria të falimentojë pra të jetë e paaftë që të dorëzojë pagesat e premtuara kreditorëve dhe kuptohet që në këmbim investitorët nuk do kenë më besim që të japin më para dhe këtu kemi skenarin katastrofal të Greqisë, Islandës apo Argjentinës së para pak viteve. Mandej jo vetëm që pamundësia për të paguar mund të shkaktojë një kaos në vend në mungesë të parave për të paguar shërbimet më esenciale si policia e shëndetësia, por për një vend që falimenton bëhet shumë e vështirë që të vijnë investitorë të rinj e të merret sërish hua. Ndërkohë ka kompani prestigjioze ndërkombëtare se sa janë gjasat që një vend të falimentojë e mos ta paguaj borxhin e tij. Vlerësimi i Standard & Poor’s për Shqipërinë qëndron në B + ndërsa i Moody është B1 që, të dyja tregojnë se vendi është stabil, mirëpo e ardhmja është e mjegullt nëse thellohet borxhi dhe ekonomia ecën me ritmin e breshkës që ka tani.

Mirëpo duhet bërë e qartë që huamarrja nuk është domosdoshmërisht e keqe për ekonominë dhe se sektori bankar është kyç për të financuar zhvillimin e një ekonomie. Individët natyrshëm marrin hua për të blerë diçka të madhe si makina apo shtëpia për të rritur mirëqënien e tyre ndërsa bizneset marrin hua për t’u zgjeruar, për të blerë pajisje të reja më moderne apo për të krijuar vende të reja pune. Problemi është me qeverinë dhe borxhin publik se politikanët janë të gatshëm që për të mundësuar investime elektorale (ose korruptive), ta shtojnë borxhin edhe kur janë të vetëdijshëm se buxheti i shtetit nuk ka të ardhura të mjaftueshme për të financuar pagesat e borxhit. Madje mundësia për të marrë më shumë borxh vetëm sa shton edhe oreksin për të bërë edhe më shumë investime elektorale ose korruptive. Pra mundësia e thellimit të borxhit, ose të maskimit të tij sikurse është rasti i PPP, shton mundësinë për të bërë më shumë shpenzime buxhetore të shpërdoruara.

Qytetarët duhet të kuptojnë se mirëqënia e tyre personale dhe begatia e vendit ku jetojmë s’ka për të ardhur prej shpenzimeve buxhetore por prej sipërmarrjes private në kushtet e konkurrencës së lirë e të ndershme dhe nën garancinë e sundimit të ligjit dhe institucioneve të zgjedhura në mënyrë demokratike. Shumica e shpenzimeve buxhetore bëhen për programe të subvencioneve, ndihmës sociale apo për investime elektorale e aktivitete të tjera që nuk janë produktive për ekonominë. Si pasojë fondet që harxhon qeveria janë burime që përndryshe do të përdoreshin për të prodhuar rezultate të vlefshme të sektorit privat duke shkaktuar një kosto të madhe oportune për ekonominë e vendit. Nobelisti i ekonomist James M. Buchanan e përshkruan kështu këtë gjë “Duke financuar shpenzimet e tanishme publike nëpërmjet borxhit, ne jemi, në fakt, duke prerë pemët e mollës për dru zjarri, duke zvogëluar kështu prodhimin e pemishtes njëherë e përgjithmonë ”

I gjithë ky shpërdorim bëhet akoma më i lehtë për qeveritarët kur fatura mund t’i përcillet brezave që vijnë. Pra brezat që vijnë do të varfërohen prej grykësisë së gjeneratës së tanishme. Ajo që e bën edhe me shqetësuese këtë situatë është fakti se njerëzit organizohen në aksion politik vetëm nëse iu preket një interesi i ngushtë. Kjo do të thotë se askush nuk ka gjasa të krijojë një lëvizje politike efektive për të kundërshtuar një borxh publik që e prek pak në xhep personalisht e që sipas të gjitha gjasave do të paguhet nga fëmijët apo nipërit. Pra sikur mos të mjaftojë shpërdorimi i burimeve natyrore, i trashëgimisë kulturore, nami i keq dhe institucionet e brishta, brezave të ardhshëm po iu lëmë peshqesh edhe një borxh që nuk di të ndalet.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.