Rudina Hajdari and Company
Nuk jam shprehur ndonjëherë gjerësisht për hapjen apo mbylljen e listave, pasi është një temë tej mase e gjerë, për të cilën të duhet një informacion i caktuar për të hyrë në debat, por kam besuar dhe besoj gjithnjë, se për nisma serioze duhen njerëz seriozë.
Nuk mund të pres diçka serioze nga një individ që deklaron se firmos një marrëveshje, por nuk e voton këtë të fundit. A thua se firma e individit është e ndarë nga mendimi apo qëndrimi i këtij të fundit kundrejt një çështjeje.
E kam nënvizuar gjithmonë, se qëndrimi në parlament i Rudinës me shokë, nuk përfaqësonte gjë tjetër veçse një patericë difektoze për Ramën.
Rama, e di fort mirë që paterica që ka në parlament është difektoze, për sa kohë nuk kursehet hiç ta etiketojë dhe ta nëpërkëmbë këtë të fundit, nga foltorja e parlamentit dhe jo vetëm.
Kjo patericë difektoze e Ramës këndon në kor këngën e tij dhe orvatet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se po bëjnë çka munden për t’u ofruar më të mirën.
Nga ana tjetër, kemi edhe të ashtuquajturën “ Opozitë Qytetare” që ka ndërvepruar mjaft me Rudinën dhe të ngjashmit e saj.
Kjo “ Opozitë Qytetare” e cila synonte hapjen e plotë të listave, prej ditësh është pllakosur nga heshtja dhe nuk ka kurrfarë reagimi për çështjen në fjalë dhe mbi të gjitha për idenë e çartur të Kryeministrit, për ndryshimet kushtetuese.
Kemi 3 lloj opozitash në këtë vend.
– Opozitën parlamentare
– Opozitën qytetare
– Opozitën jashtë parlamentit
Post Scriptum- Si për një “” rastësi “” krejt të mbrapshtë, dy opozitat e para, nuk shprehin kundërshti për ndryshimet kushtetuese që propozon Kryeministri.
Elona Caslli
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



