Rusia mohon akuzat se ka sulmuar Poloninë me raketa: Provokim i ulët për të përshkallëzuar konfliktin
Rusia ka mohuar raportimet e mediave polake se Moska ka sulmuar me raketa një fshat në Poloni, në kufi me Ukrainën.
Ministria e Mbrojtjes ruse, ka reaguar në një postim në Telegram, duke i konsideruar raportimet si provokime dhe një tentativë për të përshkallëzuar situatën.
“Asnjë sulm nuk është ndërmarrë ndaj asnjë shënjestre në kufirin mes Ukrainës dhe Polonisë” – thuhet në reagimin e ministrisë.
Rusia shton se fragmentet e publikuara në mediat polake, nuk janë armë ruse.
Mediat polake kanë publikuar disa pamje nga pasojat që sipas tyre, kanë sjellë raketat ruse që goditën fshatin Przewodó.
Edhe pse origjina e predhave që goditën Poloninë dhe vranë dy persona nuk është konfirmuar, në rast se konfirmohet sulmi rus ndaj Polonisë, NATO përfshin në nenin 5 të Traktatit të Organizatës së Aleancës Atlantike të ashtuquajturin parim të mbrojtjes kolektive.
Ky është një parim unik dhe i përhershëm që bashkon anëtarët e saj dhe vendos një frymë solidariteti në Aleancë.
Neni 5 thotë:
“Palët bien dakord që një sulm i armatosur kundër një ose më shumë prej tyre, i ndodhur në Evropë ose në Amerikën e Veriut, do të konsiderohet si një sulm i drejtuar kundër të gjithëve dhe, për rrjedhojë, bien dakord që nëse një sulm i tillë ndodh, secili prej tyre, në ushtrim të së drejtës së mbrojtjes legjitime individuale ose kolektive, të njohur nga neni 51 i Kartës së Kombeve të Bashkuara, do të ndihmojnë Palën ose Palët e sulmuara, duke miratuar më pas, individualisht dhe në marrëveshje me Palët e tjera, masat që i sheh të arsyeshme, duke përfshirë përdorimin e forcës së armatosur, për të rivendosur dhe ruajtur sigurinë në rajonin e Atlantikut të Veriut”.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



