E enjte, 15 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Sali Berisha nesër në SPAK: Protestë, retorikë dhe lojë politike
Lajme

Sali Berisha nesër në SPAK: Protestë, retorikë dhe lojë politike

 

Ish-kryeministri Sali Berisha, njëherazi kreu i Partisë Demokratike, do të paraqitet të hënën në Prokurorinë Speciale (SPAK), pas vendimit të Apelit të GJKKO-së që i caktoi masën “detyrim paraqitje”. Ky zhvillim vjen vetëm pesë javë pasi Gjykata e Shkallës së Parë e kishte rrëzuar masën e sigurisë “arrest shtëpie”, duke e kthyer çështjen në një spirale të re ligjore dhe politike.

Ndërkohë, Berisha, i njohur për retorikën e tij kundër drejtësisë së reformuar, ka deklaruar publikisht se do të respektojë masën e sigurisë. Por, paralelisht, strukturat e PD-së në Tiranë kanë marrë një udhëzim të qartë përmes një mesazhi: të mobilizojnë një protestë masive përpara godinës së SPAK-ut.

Një protestë e paralajmëruar kujt i shërben?

Thirrja për protestë përballë SPAK-ut duket si një përpjekje e Berishës për të galvanizuar bazën e tij politike, duke kanalizuar pakënaqësinë ndaj drejtësisë së re si një betejë për “liri dhe të drejta”. Megjithatë, kjo qasje ka precedent. Në rastin e protestës së thirrur nga Partia e Lirisë për Ilir Metën – tashmë në qeli pas vendimit të GJKKO-së dhe kërkesës së SPAK – demokratët e Berishës qëndruan indiferentë, duke mos iu bashkuar.

Tani, pyetja që shtrohet është: a do të ndjekë Partia e Lirisë të njëjtën qasje? Apo, përkundrazi, do të përpiqet të shfaqet si aleate e opozitës përballë një sistemi që të dyja palët e cilësojnë të kapur nga Edi Rama?

Sfida e deputetëve demokratë ta mbështetesin  apo refuzojnë?

Ndërkohë, është interesante të shihet nëse të gjithë deputetët e PD-së do të përgjigjen pozitivisht ndaj thirrjes së Berishës. Figura si Gazment Bardhi dhe Jorida Tabaku, të cilët kanë shprehur mbështetje publike për punën e SPAK-ut dhe reformën në drejtësi, ndodhen përballë një dileme të vështirë: të respektojnë pozicionet e tyre parimore apo të shmangin zemërimin e militantëve të partisë dhe vetë Berishës.

Nëse refuzojnë të marrin pjesë, ata rrezikojnë të përballen me kritika të ashpra dhe sulme nga brenda partisë. Nga ana tjetër, prania e tyre në protestë do të sinjalizonte një kompromis të pozicioneve të tyre përballë një partie të ndarë mes mbështetësve të drejtësisë dhe militantizmit politik.

Spektakli i radhës me fjalimin e Berishës dhe sulmet ndaj SPAK

Berisha, si zakonisht, pritet të shfrytëzojë këtë paraqitje për të ndërtuar një moment politik të ri. Pas dorëzimit të gjeneraliteteve në SPAK, ai me shumë gjasa do të dalë përpara protestuesve, duke përsëritur akuzat e tij ndaj drejtësisë dhe kryeministrit Rama. Me fjalimin e tij, Berisha do të tentojë të pozicionojë veten si viktimë e një sistemi të korruptuar dhe mbrojtës i demokracisë, ndërsa përkrahësit e tij do të etiketohen si “mbrojtës të lirisë”.

Mesazhi i shpërndarë për strukturat e PD-së në Tiranë është i qartë: mobilizim total për të krijuar një atmosferë trysnie dhe për të shfaqur fuqinë e Berishës. Por sa efektive do të jetë kjo përpjekje dhe cilat do të jenë pasojat për Partinë Demokratike, mbetet për t’u parë.

Para SPAK-ut të hënën, Sali Berisha do të kërkojë të shndërrojë një sfidë personale ligjore në një betejë simbolike kundër sistemit. Por kjo lëvizje bart rreziqe të mëdha për PD-në, një parti që vazhdon të përçahet mes fraksioneve të saj dhe që nuk ka një strategji të qartë për të adresuar sfidat e saj të brendshme dhe të jashtme.

Dita e hënë do të jetë jo vetëm një ditë llogaridhënieje për Berishën, por edhe një test për opozitën shqiptare: A do të vijojë të shërbejë si një arenë për interesat personale të liderëve, apo do të gjejë forcën për t’u riorganizuar dhe për t’u përballur me sfidat reale të qytetarëve shqiptarë?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.