Sfilata e drejtësisë shqiptare


Në këtë vend të vogël për nga sipërfaqja, por të madh për nga ngjarjet, kemi parë shpesh sfilata mode. I kemi parë sfilatat e modës jo vetëm nga stilistë, por edhe nga individë që janë në vendimmarrje.
Kemi parë sistematikisht sfilatat e deputeteve rilindase në parlament, të cilat shoqërohen me albumin përkatës fotografik çdo seancë parlamentare. Fotografi i parlamentit, i famshmi Agim Rama, i shoqëron këto fotografi me komentet përkatëse të llojit; Yll, dritë, ëmbëlsirë etj.
Çdo deputete rilindase ndihet e mikluar para aparatit fotografik çdo seancë parlamentare, duke e shndërruar kështu sallën e parlamentit në një studio fotografie, ku gra e burra nxitojnë të shkëlqejnë me tiparet e tyre para publikut.
Përtej sfilatës parlamentare, dje do të përballeshim me sfilatën e drejtësisë shqiptare. Kryetarja e Gjykatës në Elbasan, do t’i servirte publikut të gjerë një video të xhiruar në ambientet e gjykatës, gjatë së cilës do të sfilonte në korridoret e institucionit. Skeleti i videos është si vijon;
Në fillim zonja Kapedani del nga ashensori. Pastaj sfilon në korridoret e gjykatës dhe hap zyrën e saj. Ulet në tryezën e punës dhe merr një pozë përfundimtare joshëse para publikut. E gjithë kjo shfaqje ndodh në një institucion shtetëror.
Nëse zonja në fjalë do ta kish bërë këtë video në ambiente të tjera, do të ish në të drejtën e saj, ndonëse në optikën time një video e tillë nuk përkon me pozicionin e zonjës në fjalë.
Fakti që gjykata shndërrohet në pasarelë është tragjik. Fakti, që taksapaguesve u serviret sfilata e drejtësisë shqiptare në një vend të kriminalizuar, është therës.
Çdo institucion ka një kod etike i cili duhet zbatuar nga çdo punonjës dhe veçanërisht nga titullari i institucionit.
Në një shoqëri normale zonja në fjalë do të shkarkohej menjëherë dhe pa më të voglën mëdyshje.
Post Scriptum- Në një shoqëri anormale publiku pret sfilatën e radhës së drejtësisë shqiptare.
Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.
Denonco



