E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
SHBA: Miku i Ramës rrezikon mbi 20 vite burg
Lajme

SHBA: Miku i Ramës rrezikon mbi 20 vite burg

Mediat amerikane vijojnë të publikojnë të tjera informacione për lajmin e bujshëm të arrestimit të një ish-zyrtari të lartë të FBI.

Sipas medieve amerikane, ky arrestim është një lajm i rrallë, ndërkohë që Charles McGonigal akuzohet se ka ndihmuar oligarkun rus, Oleg Deripaska.

Për ironi, vetë McGonigal kishte nisur hetimet për lidhjet e Donald Trump me rusët, ndërkohë që vetë kishte lidhje të forta me rusët.

Por skandali tjetër lidhet direkt me Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama, i cili e ka pranuar publikisht se McGonigal është miku i tij.

McGonigal u akuzua paralelisht në një gjykatë në kryeqytetin Uashington për fshehjen e 225 mijë dollarë pagesave që pati marrë nga një burim i jashtëm, person me të cilin pati udhëtuar së bashku në Evropë.

“Departamenti i Drejtësisë thotë se zoti McGonigal gjithashtu fshehu nga FBI-ja detajet e një udhëtimi që bëri në Shqipëri në vitin 2017, së bashku me një ish-zyrtar të shërbimeve shqiptare të zbulimit, i cili i kishte dhënë 225 mijë dollarë.

Prokurorët thonë gjithashtu se ai nuk dha emrin e personit që e shoqëronte gjatë udhëtimit, si dhe nuk informoi se qëndrimi i ishte siguruar falas.

Departamenti i Drejtësisë thotë se pasi mbërriti në Shqipëri, ai u takua me kryeministrin shqiptar dhe e dekurajoi atë nga dhënia e licencave për kompani ruse guaskë për kërkime për naftë në vend. Prokurorët thonë se personat shqiptarë që janë kontakte të zotit McGonigal kishin interesa financiare me këto vendime.

Zoti McGonigal duhet të kishte raportuar në FBI kontaktet me zyrtarë të huaj, por prokurorët thonë se ai i pati fshehur këto nga punëdhënësi, ndërsa vazhdonte me udhëtime pune dhe ndërkombëtare që e vendosën në konflikt interesi me detyrat e tij si oficer i zbatimit të ligjit,” raporton Zëri i Amerikës.

Ndërkohë, mediat raportojnë se shqiptari që i dha ryshfet, kishte lidhje me një kompani kineze.

Po kush ishte personazhi shqiptar që pagoi këtë ryshfet? Sipas Insider, ai është një ish-zyrtar shqiptar, i natyralizuar si qytetar amerikan, që jeton në Nju Xhersi.

Në njoftimin zyrtar të Departamentit të Drejtësisë në SHBA, thuhet se miku i Ramës rrezikon mbi 20 vite burg.

***
Prokurorët e Nju Jorkut thonë se Charles McGonigal, i cili ka mbajtur detyrën e shefit të kundërzbulimit në FBI, ka marrë pagesa nga oligarku rus, Oleg Deripaska, me qëllim hetimin e një oligarku rival rus.

Kështu shkruan  gazeta Nju Jork Times për Charles McGonigal, që në vendin tonë njihet edhe si mik i ngushtë i Edi Ramës.

Edhe opozita e ka akuzuar Ramën se ka bashkëpunuar me Charles McGonigal dhe se për këtë arsye, kreu i qeverisë shqiptare është vënë nën hetim në Nju Jork nga autoritetet federale.

Artikulli i Nju Jork Times:

Ish-zyrtari i nivelit të lartë të FBI-së, zyrtari është paditur me akuzat se ka komplotuar për të shkelur sanksionet e SHBA-së ndaj Rusisë duke marrë pagesa sekrete nga oligarku rus, Oleg V. Deripaska, në këmbim të hetimit të një oligarku rival, thanë autoritetet të hënën.

Ish-zyrtari, Charles McGonigal, i cili kishte qenë agjenti i posaçëm në krye të divizionit të kundërzbulimit të FBI-së për Nju Jorkun, përpara se të dilte në pension në 2018, kishte mbikëqyrur dhe marrë pjesë në hetimet e oligarkëve rusë, përfshirë Deripaska, tha sot qeveria.

Prokurorët federalë në Manhattan thanë sot se McGonigal, 54 vjeç, ka shkelur sanksionet e SHBA-së duke rënë dakord t’i ofronte shërbime oligarkut rus, i cili vetë u padit vitin e kaluar për akuza për shkelje sanksionesh.

Aktakuza e bërë ditën e sotme në Gjykatën Federale të qarkut në Manhattan akuzon ish-zyrtarin e lartë të FBI, McGonigal, me një akuzë për shkelje të sanksioneve të SHBA-së, një akuzë për pastrim parash dhe dy akuza për komplot.

Avokati i McGonigal, Seth D. DuCharme, tha se klienti i tij synon të deklarohet i pafajshëm në paraqitjen e tij në gjykatën federale në Manhattan.

“Charlie i shërbeu Shteteve të Bashkuara me aftësi, në mënyrë efektive, për dekada,” tha avokati DuCharme. “Ne i kemi shqyrtuar nga afër akuzat e bëra nga qeveria dhe presim me padurim të shohim se cilat janë provat mbi të cilat qeveria synon të mbështetet.”

Aktakuza akuzoi gjithashtu një person të dytë, Sergej Shestakov, një ish-diplomat sovjetik dhe rus, i cili më vonë u bë qytetar amerikan dhe punoi si përkthyes rus për gjykatat dhe zyrat qeveritare. Avokati i Shestakov, Bennett M. Epstein, nuk pranoi të komentojë.

Arrestimi i zotit McGonigal tronditi ish-kolegët që punonin ngushtë me të. Ata thanë se ai hetoi kryesisht kundërzbulimin dhe spiunazhin rus gjatë karrierës së tij të gjatë me FBI-në. McGonigal mori gjithashtu detyra jashtëzakonisht të ndjeshme në komunitetin e inteligjencës, duke udhëhequr një ekip të FBI-së i cili hetoi se, pse informatorë të CIA-s në Kinë po arrestoheshin dhe vriteshin.

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.