E mërkurë, 14 tetor 2026 DENONCO ANONIM Denonco: +355 69 20 95 843
PUBLIK
Shembjet në Theth, tensionet s’ndalen:
Flash

Shembjet në Theth, tensionet s’ndalen:

Banorët mbledhin Kuvendin e Burrave, Kisha dhe Arqipeshkvia në mbështetje të tyre

Aksioni i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT) për prishjen e ndërtimeve pa leje në Theth ka hyrë në ditën e shtatë, me rreth 70 objekte që janë shembur deri më tani. Fadromat vijojnë operacionin e shoqëruara nga forcat e rendit, ndërsa situata në terren, ndonëse e qetë në pamje të parë, mbetet e tensionuar. Banorët nuk ndalen në përpjekjet për të ndalur shembjet, të cilat i konsiderojnë si goditje ndaj jetesës dhe trashëgimisë së tyre.

Një zhvillim domethënës ndodhi përpara Kishës së Thethit, ku u mblodh Kuvendi i Burrave, një traditë shekullore e zonës, për të diskutuar pasojat e aksionit dhe rrugët për zgjidhje. Apeli i përbashkët i banorëve është i qartë: qeveria të hapë një dritare dialogu dhe të ndalë shembjen e bujtinave që përbëjnë burimin e vetëm të të ardhurave për shumë familje.

“Këto shtëpi janë ndërtuar me djersë dhe mbrojtur me gjak. Ne nuk i kërkojmë falje ligjit, por një marrëveshje që respekton jetën dhe historinë tonë,” – deklaroi Zef Vladi, një prej zërave më të njohur të komunitetit të Shalës.

Në një reagim solidar, prifti i Thethit bëri thirrje për ruajtjen e harmonisë dhe vlerave tradicionale, ndërsa Arqipeshkvia Metropolitane e Shkodrës ka dalë publikisht në mbështetje të banorëve, duke theksuar nevojën për mbrojtjen e mjedisit, identitetit kulturor dhe të drejtave të komunitetit vendas.

Përplasjet sporadike mes qytetarëve dhe policisë tregojnë se situata është ende delikate. Në mungesë të një komunikimi real mes qeverisë dhe komunitetit, rreziku i përshkallëzimit të tensioneve është i lartë.

Thethi, një prej destinacioneve më të rëndësishme të turizmit malor në Shqipëri, është kthyer në simbol të përplasjes mes zhvillimit institucional dhe ruajtjes së trashëgimisë vendase. A do të dëgjojë qeveria zërin e maleve? Apo do të zgjedhë të heshtë përballë një komuniteti që kërkon vetëm dinjitet dhe të drejtën për të jetuar në tokën e vet?

Na ndiqni në YouTubeVideo, intervista dhe transmetime nga PUBLIK TV Abonohu

Keni një histori? Denonco anonimisht, identiteti juaj mbrohet.

Denonco
DENONCO

Zëri yt bëhet lajm.

Bëhu pjesë aktive e Publik.al. Raporto çdo padrejtësi, korrupsion apo ngjarje, me foto dhe video. Identiteti yt mbrohet nga redaksia.